Tridhjetë artiste greke dhe një shqiptare hapën ekspozitën “Duke thurur të ardhmen” në Galerinë e Arteve në Shkodër. Artistet greke shfaqen krijimtarinë mbi 20 vjeçare përmes punimeve të tyre që janë edhe një trashëgimi e pasur kulturore. Kuratorja e ekspozitës, artistja greke Efi Michalarou tregon se si lindi idea për këtë ekspozitë fillimisht në Greqi e më pas edhe në Shqipëri.

Artistja e vetme shqiptare që është pjesë e kësaj ekspozite Beskida Kraja, një shkodrane e afirmuar në artin pamor ndjehet krenare që përfaqëson Shqipërinë mes 30 artisteve greke, aq më tepër me piktura që sjellin artin e thurjes që në Shkodër është një traditë e hershme.

Ekspozita kolektive e titulluar “Duke thurur të Ardhmen Pjesa III”, u fokusua në natyrën dhe krijimtarinë femërore. 30 artistet gra morën pjesë me mjete të ndryshme shprehëse: pikturë, skulpturë, instalime, fotografi, video dhe shfaqje.

Duke u nisur nga zakonet dhe traditat vendase, ato i transformuan këto metoda, duke përfshirë qëndisjen, tezgjahun, thurjen dhe qepjen, leshin, kanavacën, fijet dhe pëlhurat, në një mënyrë të re në vepra të artit bashkëkohor.