“Kujtesa e Ajrit” është ekspozita e cila hapi siparin e aktiviteteve në këtë fillim viti në muzeun kombëtar të fotografisë Marubi në Shkodër. Dy artistë italian Chiaralice Rizzi dhe Alessandro Laita sollën këtë ekspozitë personale të tyre me fotografi të banesave shkodrane por edhe histori të treguara nga këta qytetarë. Pjesë e ekspozitës janë edhe fotografitë e albumeve me foto të fotografëve mes të cilëve edhe Marubët që qytetarë të ndryshëm i kanë ruajtur në shtëpitë e tyre. Drejtori i muzeut Marubi, Luçian Bedeni vlerësoi punën e artistëve italian për këtë dokumentim që i kanë bërë familjeve shkodrane ndërsa tha se ky vit do jetë viti i Marubit në UNESCO.

Kuratore e ekspozitës është artistja e mirënjohur italiane Gabi Scardi e cila thotë se ekspozita “Kujtesa e Ajrit” tregon se sa të afërta vazhdojnë të jenë lidhjes mes Shqipërisë dhe Italisë.

Fotografja Rizzi e cila realizoi fotografitë dhe historitë e familjeve shkodrane bashkë me artistin tjetër ialian Laita thotë se këto imazhe dhe histori janë thelbësore për mbijetesën e kujtesës.

Regjistrimi dhe prania e fotografive në shtëpitë e familjeve të ndryshme shkodrane, interpretuar si arkivë e jetuar, si dhe historitë e lidhura me subjektet e fotografive, e vendosin ekspozitën në ndërthurjen mes imazhit dhe fjalës, të kaluarës dhe të tashmes, privates dhe publikes, subjektives dhe kolektives; kjo nënvizon gjurmën e pashlyeshme të historisë dhe marrëdhënien e gjallë që individi ka me të. E gjitha kjo në një vend që për 45 vite, ka qenë nën trysninë e një diktature që ndër të tjera, ka shkaktuar humbje të thella.