Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar 6 shtetas të cilët kanë vjedhur makinën e një 30-vjeçari dhe më pas me anë të mashtrimit i kanë marrë edhe një shumë parash me premtimin për t’ja gjetur makinën. Kështu policia njofton se ka vënë në pranga 6 persona dhe proceduar penalisht një tjetër.

Personat e arrestuar sipas policisë janë me precedent penal të mëparshëm dhe të dyshuar edhe për disa vjedhje të tjera të ndodhura në qytetin e Shkodrës. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas një pune të mirorganizuar dhe si rezultat i hetimeve të bëra, është bërë arrestimi i shtetasve: S. G, 26 vjeç, banues në fshatin Dragoç, Shkodër,

i dënuar më parë për veprën penale “Trafik klandestinësh”, L. N, 36 vjeç, banues në fshatin Dajç të Lezhës, i dënuar më parë për veprën penale “Kallëzim i rremë”, G. T, 25 vjeç, banues në lagjen ”1 Maji”, Shkodër, i dënuar më parë për veprat penale “Përndjekja” dhe “Vjedhja”, V. B, 31 vjeç, banues lagjen ”10 Korriku” në Shkodër, i dënuar më parë për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, S. H, 40 vjeç, banues në lagjen “Partizani” në Shkodër, F. H, 46 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh, Malësi e Madhe.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në fshatin Mes, Njësia Administrative Postribë, Shkodër, në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë vjedhur automjetin shtetasit E. B, 30 vjeç, banues në fshatin Mes dhe më pas, me anë të mashtrimit, i kanë marrë edhe një sasi parash, duke i premtuar se do t’i gjenin automjetin që i kishin vjedhur.

Gjithashtu u procedua dhe ndiqet në gjendje të lirë shtetasi L. N, 46 vjeç, pronar i një servisi. Gjatë kontrollit në banesat e shtetasve të arrestuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 motomjet, 1 automjet, 50 mijë lekë dhe 5 aparate celular. Po punohet për gjetjen e mjetit tip “Mercedez Benz” që dyshohet se është vjedhur nga këta shtetas të arrestuar.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të disa vjedhjeve të ndodhura më parë në qytetin e Shkodrës. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së këtyre vjedhjeve. Mbi gjashtë të arrestuarit rëndojnë veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Mashtrimi”.