Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e 2 nëntorit në aksin Shkodër-Hani Hotit. Një mjet është përplasur me një motorçikletë. Nga ky aksident nuk ka pasoja në jetë njërezish por vetëm të plagosur të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e shërbimit kombëtar të urgjencës duke bërë transportimin e dy të plagosurve drejt spital rajonal të Shkodrës.

Nga sa mësohet dy të aksidentuarit janë babë e bijë të cilët pasi kanë marrë mjekim në spitalin e Shkodrës rezultuan se janë jashtë rrezikut për jetën. Në aksident janë përfshirë kjo motorçikletë dhe një mjet tip golf ngjyrë gri me targë AA326 PY. Ndërkohë në vendngjarje mbërritën edhe efektivët e policisë rrugore dhe grupi i ekspertizës duke nisur hetimet paraprake.

Sipas burimeve policore shkak i këtij aksidenti në aksin Shkodër-Hani Hotit është mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe tejkalimi i shpejtësisë mbi normat e lejuara ndërsa po punohet për të nxjerrë shkaqet e plota. Ajo që mbetet problem është fakti se rruga Shkodër-Hani Hotit vijon që të jetë një njollë e zezë sa i përket aksidenteve rrugore. Në këtë aks ka një rritje të numrit të aksidenteve që shpesh herë janë edhe me pasoja në jetë njerëzish apo të plagosur rëndë.

Policia vendore e Shkodrës ka rritur numrin e kontrolleve në këto akse rrugore e po ashtu edhe numrin e gjobave të vendosura ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor por sërish ndërgjegjësimi tek shoferët është i ulët duke bërë që më pas të përfundojnë të aksidentuar rëndë.

Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, tejkalimi i shpejtësisë mbi normat e lejuara, përdorimi i alkoolit, përdorimi i celularit por edhe errësira nganjëherë në akset rrugore janë shkaqet kryesore të aksidenteve.

Artikulli paraprakSHTOJ I VJETËR, 30 VITE PA UJË TË PIJSHËM
Artikulli tjetërNISMË PËR PROJEKTLIGJ KUNDËR DHUNUESVE SEKSUAL