Boksieri bullgar Isus Velichkov humbi jetën në ring gjatë turneut miqësor të boksit profesionist që po zhvillohej në Shkodër “Shkodra Boxing Night”.

Ka qenë ndeshja e katërt që po zhvillohej mes Ardit Murja të Teutës dhe bullgarit Velichkov kur ky i fundit papritur bën disa hapa mbrapa dhe rrëzohet duke humbur jetën pas pak minutash.

Bullgarit iu dha ndihma e parë dhe u dërgua në spitalin e Shkodrës por kishte ndërruar jetë më përpara nga arresti kardiak. Mjeku i aktivitetit Gjino Pinari që i dha ndihmën e parë tregon se si ndodhi kjo ngjarje.

Ambulanca e cila ishte prezente në fillim të aktivitetit më pas u largua dhe në momentin kur boksieri bullgar ra pa ndjenja është rikthyer sërish por sipas mjekut Pinari ambulanca nuk ka vonuar.

Arresti kardiak që pësoi boksieri bullgar sipas mjekut nuk lidhet me goditjet e boksierit kundërshtar por ka qenë një goditje në zemër e pësuar që mund të jetë nga shkaqe të jashtme që nuk lidhen me ndeshjen e boksit.

Pavarësisht humbjes së jetës së bullgarit, organizatorët dhe trajnerët u mblodhën dhe vendosën ta vijojnë aktivitetin e ndeshjeve profesioniste të boksit në Shkodër duke qenë se ngjarje të tilla ndodhin kudo dhe turnetë zakonisht nuk ndërpriten. Dy boksierët e Vllaznisë Arjon Kajoshi dhe Krenar Zeneli arritën të fitojnë takimet e tyre.

Artikulli paraprakLEZHË,32-VJEÇARI PËRPLAS PËR VDEKJE ISH-DHËNDRIN
Artikulli tjetërPESHËNGRITJE, DËSHTOJNË QERIMAJ DHE GODELLI NË BOTËROR