Mbrëmjen e së mërkurës në aksin Shkodër – Lezhë si pasojë e një aksidenti ka humbur jetën në mënyrë tragjike në moshën 55-vjeçare, studiuesi shkodran Eduart Grishaj. Rreth orës 20:00, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër ,në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Dajçit “, mjeti tip “Benz” është përplasur me mjetin kamion, ku për pasojë ka ndërruar jetë në vend drejtuesi i mjetit tip “Benz” ende i paidentifikuar.

Drejtuesi i kamionit shtetasi T.M., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë për veprime të mëtejshme. Eduart Grishaj ishte një intelektual, me kontribut për kujtesën, kulturën dhe artin në Shkodër. Ai ishte ndër nismëtarët e lëvizjeve për demokraci në qytetin e Shkodrës.

Eduardi u formua me dëshirën për historiografinë dhe shkencat shoqërore dhe dha një kontribut të çmuar në punën e tij si përgjegjës i fondit “Pipa” në Muzeun Historik Shkodër, si historian pranë muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës”, Ai organizoi shumë aktivitete shkencore në përkujtim të figurave dhe ngjarjeve të rëndësishme për Shkodrën e Shqipërinë.

Mori pjesë në konferenca kombëtare e ndërkombëtare ku trajtoi me kompetence çështje historike e sociale. Ndarja nga jeta e studiuesit shkodranë ka hidhëruar jo vetëm familjarët, por edhe miqtë dhe kolegët. Star Plus I shpreh ngushëllime për ndarjen e papritur dhe të parakohshme nga jeta të Eduart Grishaj.