Një 55-vjeçare ka humbur jetën një ditë më parë disa minuta pasi është larguar nga spitali Rajonal i Shkodrës. Shtetasja File Dibra ndërroi jetë në autobusin e qytetit teksa po kthehej nga spitali në shtëpi.

55-vjeçarja ka patur një gjendje të përkeqësuar shëndetësore dhe është transportuar me një ambulancë nga banesa pranë urës së vjetër të Bunës drejt spitalit të Shkodrës. Sipas fqinjëve të saj pasi ka marrë mjekim duke qenë se vuante nga tensioni dhe problemet e zemrës, i kanë thënë që të dalë nga spitali.

Fqinjët e 55-vjeçares që humbi jetën dyshojnë se nuk i është dhënë mjekimi i duhur.

Bashkëshorti i 55-vjeçares thotë se është i paqartë lidhur me ngjarjen e ndodhur ndërsa tregon se gjendja e saj shëndetësore ka qenë e përkeqësuar.

Fqinjët dhe familjarët kërkojnë nga policia zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje lidhur me shkaqet e ndarjes nga jeta të 55 vjeçares File Dibra e cila edhe pse në gjendje të përkeqësuar shëndetësore doli nga spitali i Shkodrës disa minuta pasi u mjekua.