Punonjësit e lokaleve dhe restoranteve iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së kamarierit Rehyl Toska për të kontribuar në shuma parash për familjen Zeneli e cila humbi djalin Musaen Zeneli në ngjarjen e rëndë në plazhin e Velipojës me katër të vrarë e dy të plagosur.

Në këto ditë ka patur një sensibilizim të madh të të një numrit të lartë kamarierësh dhe banakierësh të cilët kanë dhuruar shuma të ndryshme sipas mundësive në ndihmë të familjes Zeneli.

Gjatë ditës së sotme kamarieri Rehyl Toska i cili ndërmori këtë nisëm shkoi tek familja Zeneli duke i dorëzuar paratë e mbledhura nga kolegët e tij. Kamarieri Toska falenderon të gjithë ata që kontribuan dhe iu bashkuan nismës së tij.

Pas ngjarjes së rëndë organizata të shumta, qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova u sensibilizuan duke i ardhur në ndihmë familjes Zeneli. Musaen Zeneli humbi jetën mesnatën e 27 qershorit teksa mbeti i vrarë në plazhin e Velipojës bashkë me shtetasit Kujtim Ferracaku dhe dy vëllezërit Edmond dhe Xhovan Gocaj ndërsa u plagosën Hasan Ferracaku dhe Elmilind Dyli.