Rruga e Komanit e cila prej 30 vitesh është lënë në harresë vitin e ardhshëm mund të jetë pjesë e një projekti për rikonstruksion. Investimin në atëaks të rëndësishëm rrugor që të çon në liqenin e Komanit e bëri të ditur në një takim të zhvilluar në Shkodër drejtori i Koorporatës Elektroenergjetike në Shqipëri Benet Beci.

Takimi i kreut të KESH në Shkodër u bë me kryetar të bashkive të qarkut Shkodër dhe përfaqësues të institucioneve të tjera duke prezantuar strategjinë e përgjegjësisë sociale të KESH. Përveç rrugës së Komanit drejtori Beci bëri të ditur edhe disa projekte të tjera si prodhimi i energjisë përmes paneleve diellore në Vau Dejës.

Drejtori Beci tha se ka edhe disa projekte të tjera që KESH do i mbështesë dhe që lidhen me turizmin, infrastrukturën apo efiçencën e energjisë elektrike.

Deri më tani në radhët e KESH ka munguar strategjia e përgjegjësisë sociale ndërsa tashmë bashkitë përreth kaskadës së lumit Drin do të mbështeten me projekte të ndryshme zhvillimore të financuar nga KESH.