Në një mbrëmje të veçantë në mes të lagjes karakteristike të Gjuhadolit në Shkodër, pianisti dhe kompozitori i njohur shkodran Robert Bisha u rikthye në qytetin e tij por këtë radhë duke dhuruar një koncert me piano. Projekti i tij “Home Neverland” erdhi pjesërisht me disa pjesë muzikore.

“Kangët e oborrit të Shkodrës” është pjesa e dytë e këtij koncerti që emocionoi vetë artistin por edhe të pranishmit që ruajtën distancën fizike dhe përdorën maskat mbrojtëse.

Robert Bisha gjatë koncertit por edhe në fund mori duartrokitjet e të pranishmëve ndërsa e ndoqi nga afër edhe i mirënjohuri këngëtari Vlashent Sata.

Pianisti Robert Bisha u ndje mirë në këtë koncert në qytetin e tij.

Koncerti në Gjuhadol është menduar nga organizatorët, Qendra Rinore Arka dhe vetë pianisti Bisha edhe si një përqafim në këto kohë të vështira të COVID-19.

Robert Bisha ka nisur studimet që në moshën 6-vjeçare në shkollën e muzikës “Prenkë Jakova” ndërsa kur ishte 15 vjeç u transferua në Itali duke vijuar studimet në Konservatorin Frescobaldi. Ka bërë kërkime për folklorin shqiptar ndërsa ka organizuar ëorkshope dhe ka performuar në Radio Vatikani dhe ka kompozuar për filmin dokumentar “Anija” fitues i çmimit ndërkombëtar “David Di Donatello” në 2013-ën. Rober Bisha vijon me sukses karrierën e tij me koncerte dhe kompozime origjinale.