Dy aksidente janë regjistruar mbrëmjen e së enjtes ne aksin rrugor Shkodër – Koplik .

Fillimisht në fshatin Grizhë, automjeti tip Benz me targë TR 0399 U që drejtohej nga 51 vjeçari Enver Zeka banues në qytetin e Koplikut, përplasi për vdekje këmbësorin Kadri Kazma 55 vjeç banues në Grizhë. Mësohet se viktima ka qënë duke kaluar rrugën nga njëri krah në tjetrin, kur si pasojë e errësirës ai nuk është parë nga drejtuesi i mjetit i cili e ka përplasur fuqishëm, duke i shkaktuar plagë të rënda. Edhe pse 55 vjeçari Kazma u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodres, ai nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra. Policia e cila mbërriti në vendngjarje nisi hetimet për ngjarjen, duke ndaluar fillimisht 51 vjeçarin Zeka drejtues i mjetit, i cili u mor në pyetje rreth shkaqeve të aksidentit. Aksidenti i dytë është regjistruar në fshatin Demiraj, ku dy mjete u përplasën me njera tjetrën . Shtetasi me inicialet I.N, 51 vjeç banues në Grizhë, duke drejtuar mjetin “Toyota”, me targë TR 8200 P është përplasur me mjetin “Mitsubishi”, me targë AA 919 JF me drejtues shtetasin A.Xh, 40 vjeç, banues në Tiranë. Si pasojë e kësaj përplasje është dëmtuar shtetasi R.K, 58 vjeç, banues në fshatin Demiraj, i cili udhëtonte si pasagjer në mjetin “Toyota”, dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër nën kujdesin e bluzave të bardha. Në vendin e ngjarjes ekspertiza nisi veprimet hetimore, për të zbardhur shkakun e aksidentit.