Bashkia Shkodër pas disa ditësh diskutimesh ka gjetur një zgjidhje për problemin e ngritur nga prindërit tek kopështi “Ndoc Mazi” në qytetin e Shkodrës. Pas protestave të zhvilluara nga prindërit dhe fëmijët dhe pas një konsultimi me ministrinë e arsimit, bashkia Shkodër ka vendosur që të lejojë që kopështi “Ndoc Mazi” të vijojë normalisht funksionimin e tij siç ka ndodhur deri më tani.

Për këtë kryetarja e bashkisë Shkodër ka bërë edhe një shkresë zyrtare drejtuar drejtorisë së burimeve njerëzore në bashki në të cilën thuhet se “Pas konsultimit me Ministren e Arsimit Evis Kushi, në pritje të shqyrtimit dhe një vendimarrje ligjore nga ana e Ministrisë, pas kërkesës dhe në mbështetje të banorëve të lagjes nr 5 për kushtet e veçanta dhe të

nevojës së shprehur të drejtoreshës të shkollës “Ndoc Mazi” urdhëroj zhvillimin e mësimit në arsimin parashkollor në shkollën “Ndoc Mazi” për fëmijët që kanë përfunduar regjistrimin dhe të gjithë ata që janë në proces regjistrimi”, thuhet në shkresën e bashkisë Shkodër. Në këtë mënyrë tashmë bashkia është tërhequr nga tentativa e mëparshme për të shkrirë kopështin “Ndoc Mazi” që është në të njëjtën godinë ku ndodhet edhe shkolla 9-vjeçare që mban të njëjtin emër.

Për disa ditë prindërit dhe fëmijët e kopështit “Ndoc Mazi” por edhe të shkollës 9-vjeçare protestuan duke qenë kundër shkrirjes së kopshtit për tri arsye kryesore. E para është se në kopshtet e tjera do të ishin të detyruar për të paguar dhe shumë prej tyre nuk e kanë mundësinë ekonomike, po ashtu largësia dhe shpërndarja e fëmijëve të tyre në disa

kopshte apo shkolla ishte shqetësim dhe më kryesorja pas dy vitesh rrezikonte që edhe shkolla 9-vjeçare “Ndoc Mazi” të mbyllej për shkak të mungesës së nxënësve që vijnë pasi kryejnë ciklin parashkollor. Kjo çështje është zgjidhur tashmë dhe kopshti do vijojë normalisht funksionimin e tij.

Artikulli paraprakHUMBI JETËN, NJË RRUGË ME EMRIN “ADMIR BOKRINA”
Artikulli tjetërSHKOLLA FURNIZOHEJ ME UJË TË NDOTUR, REAGOJNË PRINDËRIT