Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano kërkoi nga policia vendore e Shkodrës zero tolerancë ndaj krimit dhe goditjen e çdo grupi dhe individi kriminal gjatë analizës njëvjeçare në Shkodër me forcat e policisë. Ja se çfarë tha kreu i policisë së shtetit në takimin me dyer të mbyllura.

“Duhet më tepër punë parandaluese dhe forcë reaguese ndaj çdo individi/grupi kriminal. Tolerancë zero ndaj krimit dhe ndaj çdo punonjësi policie që shpërdoron besimin që i është dhënë apo tradhëton parimet dhe kolegët.

Duhet parandaluar kultivimi i kanabisit, dhe për këtë puna duhet të fillojë që në këto momente, me marrjen e informacioneve për personat që përgatiten për të kultivuar bimë narkotike, për goditjen e atyre që futin fara në mënyrë kontrabandë dhe i shesin me qëllim kultivimin e tyre, për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda, krimin e rrugës, si dhe zgjidhjen në kohë të konflikteve, të cilat mund të çojnë në pasoja për jetën e qytetarëve.

Të merren masa parandaluese në pikat e kalimit kufitar, për parandalimin e krimeve ndërkufitare, kryesisht të trafikimit të lëndëve narkotike, të kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta dhe të kontrabandës. Kërkoj një bashkërendim të punës midis Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin, por dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese, që të koordinojnë veprimet me njëra-tjetrën, të grumbullojnë informacion, të bëjnë analiza risku dhe të godasin sa më ashpër, me zero tolerancë, këdo që tenton të kryejë këtë veprimtari kriminale”.

Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni u shpreh se qeveria shqiptare ka mundësuar të gjitha kushtet për policinë që të luftojë krimin ndaj edhe ajo kërkoi zero tolerancë ndaj krimit.Drejtori i policisë së shtetit ka qëndruar për rreth dy orë në takimin e zhvilluar në Shkodër.

 

Artikulli paraprakALIBEAJ NXJERR VIDEON: RAMA PO MOBILIZON KRIMIN DHE ‘NON-GRATAT’ PËR TË FITUAR ZGJEDHJET E 6 MARSIT
Artikulli tjetërSHKODËR, DREJTORI I POLICISË FJORA: KEMI RRITJE TË KRIMIT