Plazhi i Velipojës do të ketë ujë të pijshëm 24 orë në ditë gjatë sezonit të verës. Këtë siguri e jep drejtori i ndërmarrjes së ujësjellës kanalizime në Shkodër Mark Molla i cili inspektoi nga afër stacionin e pompave në fshatin Trush në aksin Shkodër-Velipojë si dhe depot apo edhe situatën në Qafë Shtiqen.

Drejtori Molla tha se shpimet që bëhen nga bizneset kryesisht në plazhin e Velipojës janë të papranueshme sepse ndërhyjnë në linjën e furnizimit me ujë të ujësjellësit duke krijuar probleme dhe po mendohet për një ndërhyrje në vazhdimësi.

Edhe sa i përket zonave të tjera turistike ato malore uji i pijshëm shprehet drejtori Molla është i garantuar 24 orë.

Të gjitha kapacitetet për furnizimin me ujë të pijshëm në zonat turistike duke patur në vëmendje më të veçantë Velipojën për shkak të numrit të lartë të pushuesve vendas dhe turistëve të huaj janë vënë në funksionim të plotë ndërsa edhe punonjësit do të jenë në gatishmëri gjatë gjithë kohës për çdo problem të mundshëm për të siguruar mbarëvajtjen e sezonit turistik sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.