Skender Temali, shkrimtari, publicisti, mësuesi e intelektuali i njohur shkodran është përcjellë në banesën e fundit. Një ditë më parë u nda nga jeta në moshën 74 vjeçare pasi nuk arriti që të fitojë betëjen me COVID-19. Një prej miqve të tij, shkrimtari Zija Vukaj njëkohësh edhe kryetar i shoqatës së shkrimtarëve në Shkodër shprehet se ndarja nga jeta e Skender Temalit është një humbje e madhe.

Shkrimitari Mustafë Tuka shprehet gjithashtu se Shkodra humbi një pendë të denjë të qytetit.

Skender Temali është lindur në Shkodër më 30 korrik 1946. Kreu universitetin “Luigj Gurakuqi” dhe për 15 vjet punoi redaktor në shtypin e Radio Shkodra, revistën “10 Korriku” dhe për një çerek shekulli mësues i letërsisë dhe drejtues në shkollat e mesme. Përfshihet në enciklopedi e përmbledhje të ndryshme letrare. Krijime të tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Si publicist e shkrimtar nderohet me çmime lokale e kombëtare. Në vitin 2001, me tregimin “Këpucët e turpit” në gjuhën italiane, merr çmimin special të jurisë në Konkursin e 7-të Ndërkombëtar të Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve “Cristalide” të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga shumë shtete të botës. Në vitin 2015 me poemën “Unë, Ballkani dhe Europa”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në manifestimin mbarëkombëtar “Drini poetik” i akordoi çmimin “Adem Demaçi”.

Pen Klubi i Malit të Zi e ka nderuar me mirënjohen e tij. Në vitet 2013-2017 themeloi dhe kryesoi Shoqatën e Shkrimtarëve të Shkodrës, duke përmbledhur e redaktuar tri antologji voluminoze “Pena e Shkodrës” me krijime të anëtarëve. Udhëhoqi mjaft promovime librash dhe qe bashkëpunues në veprimtari të përbashkëta me organizata homologe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni. Që nga viti 1971 botoi 20 vëllime më vete në poezi e prozë. Në vitin 2018 doli vëllimi i tij me tregime në gjuhën malazeze “Këtë dimër nuk ra dëborë”, botim i “Centar za očuvanje i razvoj kulture manjina Crne Gore”. Star Plus Tv i shpreh ngushëllime familjes Temali, të afërmve dhe miqve si dhe shoqatës së shkrimtarëve për humbjen e Skender Temalit.

Artikulli paraprakSHKODËR, 13 RASTE TË REJA, 15 PACIENTË TË SHTRUAR NË SPITAL
Artikulli tjetërSHKODËR, “MARSEY UNDERWEAR” HAP SHOWROOM-IN E DYTË