Mes lotësh e një dhimbje të madhe miq, familjarë, kolegë e shumë qytetarë të Shkodrës i dhanë lamtumirën e fundit Mjeshtrit të Madh të humorit, aktorit të shquar shqiptar e shkodran Paulin Preka. Arkivoli me trupin e pajetë të aktorit 86 vjeçari mbërriti nga Italia ku jetonte me familjen në hollin e teatrit “Migjeni” ku u zhvilluan homazhet në nder të tij. Kolegët të përlotur e kujtojnë humoristin Paulin Preka si një kolos të artit shqiptar.

Drejtoresha e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka thotë se shfaqja e radhës në teatër do të jetë me një material të të madhit Paulin Preka i cili përveçse aktor ishte edhe një tekstshkrues i një niveli të lartë.

Djali i të ndjerit Paulin Preka, Sokol Preka thotë se kohët e fundit kolosit të humorit shqiptar i mungoi shumë publiku dhe kolegët ndërsa falenderon për nderimin e figurës së babait të tij.

Paulin Preka numëron shumë role me estradën e teatrit “Migjeni”, po ashtu është pjesë edhe e shumë filmave kinematografik si dhe autor i shumë komedive e skeçeve të ndryshme të cilat janë vënë në skenë për shumë vite me radhë. Humori dhe batutat e tij do mbesin gjatë ashtu siç Paulin Preka shënjoi emrin e tij në artin e kulturën shqiptare.