Policia e Shtetit është përfshirë nga një sërë ndryshimesh në drejtoritë vendore duke larguar drejtuesit dhe duke i emëruar në disa drejtori të tjera. Në këtë mënyrë Niko Brahimaj nuk do të jetë më drejtor i policisë vendore të Shkodrës pasi policia e shtetit bën me dije se Brahimaj është emëruar drejtor i Institutit të Policisë Shkencore.

Brahimaj qëndroi për dy vite e tre muaj si drejtor i policisë vendore të Shkodrës duke zëvendësuar në marsin e 2019-ës Vehbi Bushatin pas një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të ndodhura asokohe.

Edhe këtë radhë ky ndryshim që prek edhe policinë e Shkodrës lidhet edhe me ngjarjet e ndodhura kohët e fundit. Në vend të Niko Brahimaj drejtor i policisë vendore të Shkodrës është emëruar Skender Hita. Ky nuk është një emër i panjohur pasi më përpara ka qenë nëndrejtor në policinë e Shkodrës ndërsa së fundmi ishte numri dy i policisë në Gjirokastër duke u rikthyer në Shkodër por këtë radhë si drejtor.

Policia e shtetit në njoftimin e saj bën të ditur se në kuadër të ristrukturimit për rritjen e forcës goditëse dhe parametrave të sigurisë në vend, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur ndryshime në nivel vendor e qendror.

Ndryshime përveçse në Shkodër janë bërë edhe në disa rrethe të tjera. Gjovalin Loka ish-Drejtori i Departamentit për Sigurinë emërohet Drejtor Policisë Vendore në Elbasan. Drejtori i Policisë Vendore në Durrës Lorenc Shehu transferohet dhe emërohet Drejtor Policisë Lezhë.

Neritan Nallbati deri tani drejtor i Policisë në Berat transferohet dhe emërohet Drejtor i Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Dhimitraq Ziu deri tani zv.drejtor për sigurinë në policinë e Tiranës, transferohet dhe emërohet Drejtor i Policisë Rrugore. Hamdi Fjore deri tani zv.dr i policisë Korçë transferohet dhe emërohet drejtor i Policisë në Kukës. Drejtori i Policisë në Fier Bledar Çeliku transferohet dhe emërohet Drejtor i Policisë në Vlorë.

Drejtori i Policisë Korçë Ferdinant Mara transferohet dhe emërohet Drejtor i Policisë në Fier. Shefi i Komisariatit të Policisë Nr 2 në Tiranë Oltion Bistri transferohet dhe emërohet Drejtor i Policisë në Durrës. Ardian Çipa deri tani në Akademinë e Sigurisë transferohet dhe emërohet Drejtor i Policisë në Korçë. Edmond Tarkaj deri tani drejtor i Policisë Rrugore, transferohet dhe emërohet drejtor i Policisë Berat.

Luigj Vathi drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë deri tani transferohet dhe emërohet Zv.drejtor për sigurinë në Tiranë. Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e angazhuar për të luftuar krimin e organizuar dhe për të krijuar një mjedis sa më të sigurt për qytetarët.

Artikulli paraprakSHPËRTHIMI NË HOTELIN E FAMILJES GJOKA, DREJTORI I ZJARRFIKËSVE SHKODËR: BOMBOLAT E KAMPINGUT JANË ‘KANCER’, QËNDROJNË 10 MUAJ PA U PËRDORUR DHE KRIJOJNË RRJEDHJE
Artikulli tjetërSHIROKË, 2300 VAKSINIME PËR 4 MUAJ, MJEKIA: VAKSINOHUNI