Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur që të lirojë disa prej personave të dyshuar në çështjen “Bajri”. Kështu gjykata e Shkodrës ka vendosur që të heqë masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Safet Bajri lidhur me akuzat që kishte nga prokuroria shqiptar. Ndërkohë Safet Bajri do të vijojë që të qëndrojë në burg për të vuajtur dënimin formës së prerë të dhënë nga gjykata e Belgjikës me 9 vite burg në total, një vendim ky i drejtësisë belge për trafik droge dhe prostitucion.

Ndërkohë përveç shuarjes së masës së sigurisë për Safet Bajrin, kërkesë kjo e avokatëve mbrojtës Arbër Hoxha dhe Sokol Tahiraj, gjykata ka vendosur që të lirojë nga paraburgimi shtetasit Ismet Idrizi, Asmer Bilali dhe Samet Halluni duke bërë që ndaj tyre të bien akuzat e prokurorisë.

Ndërkohë gjykata e shkallës së parë ka zgjatur afatet e paraburgimit për dy shtetasit Behar Bajri, i dyshuar për vrasje dhe shtetasin Ilir Bajri i dyshuar për shtërngim për dhënie pasurie, thënë ndryshe gjobvënie. Po ashtu bëhet e ditur se gjykata e rrethit gjyqësor në Shkodër ka zëvendësuar masat e gisurisë për shtetasit Emrah Plaku dhe Jorida Murati nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje” duke bërë që praktikisht të lirohen nga paraburgimi.

Të gjithë këta shtetas u arrestuan në një aksion të policisë të koduar “oaz” në shtator të vitit 2018 duke u akuzuar si grup i strukturuar kriminal. Pas krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë, dosja shkoi tek SPAK por shpalli moskopetencën duke e sjellë këtë dosje në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër dhe dukë bërë që të bie akuza e grupit të strukturuar kriminal. Nga gjihë të arrestuarit në Shqipëri asokohe ndodhen në qeli vetëm 3 prej tyre, shtetasi Safet Bajri për dënimin e Belgjikës, Behar Bajri dhe Ilir Bajri.