Në limitet e fundit kohore Partia Demokratike ka dorëzuar pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve listat e kandidatëve për deputet. Lista e qarkut Shkodër në radhët e PD ka disa surpriza brenda saj. Në krye të listës është drejtuesi politik i qarkut Shkodër Helidon Bushati ndërsa pas tij renditet Emilia Koliqi, nënkryetarja e bashkisë Shkodër e cila vjen si emër surprizë.

I treti është Ramadan Lika, ish kryetari i bashkisë Malësi e Madhe ndërsa e katërta në lista është renditur Greta Bardeli, nënkryetare e PD Shkodër dhe ish kryetare e këshillit të qarkut. I pesti është ish kryetari i bashkisë Vau Dejës Zef Hila dhe pas tij renditet Ludovik Hasanaj që përfaqëson zonën e Pukës. Gjashtë të parët janë të gjitha emra që nuk kanë qenë në Parlament asnjëherë duke përjashtuar Helidon Bushatin.

I shtati është ish-deputeti nga zgjedhjet e fundit Bardh Spahija edhe pse pritej të ishte më lart në listë dhe pas tij vjen Nard Ndoka si aleat i teti por edhe ky ish-deputet në listën e Shkodrës për të vijuar me Izmira Ulqinakun e 9-të edhe kjo ish-deputete në legjislaturën e fundit derisa PD djegu mandatet dhe më pas renditen Aldo Gega, nënkryetari i bashkisë Shkodër Arben Gjuraj, Helga Sallaku, Arben Lushaj, Ermira Çobaj, Zyhdi Rrashketa, Fatlum Nurja, Lindita Hyseni dhe nga aleatët Ditmir Harusha i republikanëve.

Në këtë listë mungojnë ish-deputeti Romeo Gurakuqi që më pëpara kryesonte listën por u përjashtua nga komisioni i përzgjedhjes së figurave në PD në procesin e selektimin të kandidatëve të mundshëm dhe po ashtu mungon edhe ish-deputeti dhe ish-kryetari i bashkisë Shkodër Lorenc Luka gjithashtu i përjashtuar nga komisioni. Sa i përket kandidatëve të PD për qarkun Shkodër emri që ka surprizuar jo pak është ai i Fatlum Nurjes i 16 në listë.

Ish-anëtari i këshillit bashkiak dhe aktualisht ekspert i pushtetit vendor me zvicerianët është një zë kritik i PD por edhe i qeverisë. Nurja përmes një statusi në facebook ka reaguar thotë se ka refuzuar që të jetë kandidat për deputet dhe se as nuk i ka kërkuar forcës së tij politike FRD që të jetë në lista. Ja se çfarë shkruan Nurja:

“Mbrëmë fjeta herët, e sot në mëngjes pashë këtë listë që ma kishte dërguar një mik pas mesnate. Deklaroj që unë nuk i kam kërkua FRD-së diçka të tillë, përveçse kam refuzuar dhe kuptohet si dhe minimumi s’kam firmosur as ndonjë formular tip për të tilla raste. Guxim i tepruar kushdo që e ka bërë dhe më jep një ndjenjë neverije.

Jam i vetëdishëm se eksperiencat e personave që do jenë deputet dhe më gjërë do ja dalin të bëjnë mrekulli për Qytetin, Shtetin dhe Kombin tonë. Por, gjithashtu jam shpresëplot se estrada e parlamentit ka për të vazhduar”, deklaron Nurja.

Lista e Kandidatëve për deputet e PD qarku Shkodër

1.Helidon Bushati
2.Emilia Koliqi
3.Ramadan Likaj
4.Greta Bardeli
5.Zef Hila
6.Ludovik Hasanaj
7.Bardh Spahia
8.Nard Ndoka
9.Izmira Ulqinaku
10.Aldo Gega
11.Arben Gjuraj
12.Helga Sallaku,
13.Arben Lushaj
14.Ermira Çobaj
15.Zyhdi Rrashketa
16.Fatlum Nurja
17. Lindita Hyseni
18.Ditmir Harusha

Artikulli paraprakPSD, TOM DOSHI KRYESON LISTËN E SHKODRËS DHE TIRANËS
Artikulli tjetërPS PREZANTON KANDIDATËT, NIS ME LISTËN E SHKODRËS