Është mbyllur me sukses në sheshin “Nënë Tereza” edicioni i 11-të i Kampionatit Ndërkombëtar të Basketbollit 3×3, aktivitet që për të pestin vit radhazi u zhvillua në Shkodër nën organizimin e Shoqatës 3×3 Albania, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Basketbollit dhe Bashkinë Shkodër. Për katër ditë me radhë, mbi 30 ekipe dhuruan spektakël dhe rivalitet, ndërsa tribunat u mbushën çdo mbrëmje nga tifozë e dashamirës të basketbollit. Aktiviteti përfshiu kategoritë e femrave, U18, veteranëve dhe të rriturve, duke e kthyer qytetin në qendrën e basketbollit 3×3 në Shqipëri. Në finalen e kategorisë së të rriturve, skuadra Landriano u shpall kampione pas një paraqitjeje të shkëlqyer, duke mposhtur Swish Gods në ndeshjen finale dhe duke ngritur trofeun e edicionit 2026.

Dy organizatorët, Roni Gjeçaj dhe Antonio Shabani, të cilët si drejtues të Shoqatës Kombëtare të Basketit 3×3, bëjnë të mundur organizimin e përvitshëm të këtij kampionati në qytetin e Shkodrës, thanë se janë shumë të kënaqur me pjesëmarrjen dhe interesin që ky aktivitet kishte edhe këtë vit.

Ndërkohë, edhe një nga basketbollistët që u shpall kampion, pikërisht Ajet Cahani, u shfaq shumë i lumtur, pasi tha se ishte një garë e fortë. Edicioni i sivjetshëm i Kampionatit Ndërkombëtar të Basketbollit 3×3 u ndoq me interes të madh edhe nga teleshikuesit, pasi dy ditët finale u transmetuan drejtpërdrejt në Star Plus TV, në komentin e gazetarit sportiv Gaspër Marku, duke sjellë atmosferën dhe emocionet e këtij eventi në ekran për të gjithë dashamirësit e basketbollit.

https://youtu.be/Q_JdCA1tR3w

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakBASHKIA SHKODËR RRIT KAPACITETET E EMERGJENCAVE
Artikulli tjetërTROTUARET NË BULEVARDIN “SKENDERBEJ” DREJT REHABILITIMIT