Këta qytetarë në Shkodër nuk e dinë ende se prej 3 ditësh sportelet tek ADISA por edhe shumë institucione të tjera nuk funksionojnë më. E vetmja mënyrë për të marrë shërbimet që mund t’u nevojiten është përmes sistemit online, pra duhet të përshtaten me teknologjinë sepse dyert e sporteleve me një vendim qeverie janë mbyllur. Që në orët e para të mëngjesit në qendrën e Informimit për Shërbimet Publike Adisa në Shkodër është krijuar një radhë e gjatë me qytetarë, kryesisht të moshuar, të cilët kanë mbetur jashtë dyerve të zyrave të ADISA sepse shërbimi në sportele nuk ofrohet më.

Qytetarët shprehen të revoltuar pasi një pjesë e tyre kanë telefona të thjeshtë të cilët nuk ofrojnë akses në internet dhe rrjedhimisht nuk dinë të hapin një llogari në portalin e qeverisë e-albania ndërsa pjesa tjetër nuk dinë t’i përdorin aparatet celulare të avancuar.

Për të moshuarit apo ata që nuk kanë mundësi të aksesit në teknologji, mbyllja e sporteleve të shumë institucioneve është shumë shqetësuese. E vetmja mënyrë është që të telefonojnë në linjën CALL CENTER që është vendosur për t’i ndihmuar por edhe kjo formë sipas kësaj shtrese të qytetarëve nuk është një zgjidhje.

 

Artikulli paraprakBANORËT: RREZIKOJMË JETËN NGA LËVIZJA NË BYPASS
Artikulli tjetërSHKODËR, GJUHA E URREJTJES NË SHOQËRI NJË SHQETËSIM