Ka shkuar për të gjuajtur peshk por nuk është kthyer më në shtëpi duke u mbytur në ujërat e liqenit të Shkodrës .

Në orët e paradites së 26 majit Sylejman Syla, 67 vjeç ka dalë nga banesa si zakonisht për t’u marrë me pasionin e tij peshkimin por edhe për të siguruara pak të ardhura por ka humbur jetën në ujërat e liqenit. Dallgët e forta të një dite më parë kanë bërë që 67 vjeçari të mos e kontrollojë më varkën e tij duke rënë brenda në ujë dhe duke humbur jetën.
Familjarët të shqetësuar nga fakti që 67 vjeçari nuk ka shkuar në shtëpi për asnjë moment por as nuk ka kontaktuar me ta kanë lajmëruar policinë vendore të Shkodrës.

Efektivët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje ndërsa është konstatuar se 67 vjeçari kishte ndërruar jetë. Menjëherë policia përmes Forcave të Nderhyrjes së Shpejtë ka tentuar që të nxjerrë trupin e pajetë në bregun e liqenit por ka qenë e pamundur për shkak të dallgëve të forta që kanë vijuar edhe në ditën e sotme. Është dashur që të pritet ardhja e polumbarëve të forcave RENEA nga Tirana për të ndërhyrë.

Trupi i pajetë rezulton që të jetë jo në një thellësi të madhe por në afëri të bregut të liqenit në vendin e njohur si Bregu i Ranës. Policia një ditë më parë fillimisht ka gjetur varkën e peshkatarit Sylejman Syla të cilën e kanë konfirmuar edhe familjarët e tij.

Dallgët e mëdha e kanë bërë të vështirë këtë operacion të forcave të policisë duke kërkuar kështu ndërhyrjen e forcave RENEA të cilët janë të specializuar për këto raste ndërsa forcat e FNSH të Shkodrës kanë bërë të mundur lokalizimin e trupit të pajetë. Në liqenin e Shkodrës janë një numër i konsiderueshëm peshktarësh, rreth 450 të licensuar të cilët në kohë të keqe dhe kur liqeni ka dallgë pjesa më e madhe preferojnë të mos rrezikojnë.