Mendimtari islam nga Damasku Salahudin Keftaro ishte i ftuar në xhaminë e Parrucës duke mbajtur hytben përpara besimtarëve. Salahudin Keftaro u ndal tek sulmet e fundit ndaj Profetit Muhamed duke i dënuar ato që shajnë dhe fyejnë figurën e Pejgamberit ndërsa kërkoi nga besimtarët që të ndjekin rrugën e jetës që pati Profeti plot mirësi dhe humanizëm për mbarë njerëzimin.

“Ne duhet që të ecim në jetën e Profetit Muhamed për të jetuar si vëllezër në bashkësinë e madhe islame. Humanizmi është një gjë të cilën na e mëson Profeti dhe Islami. Përballemi me sfida të shumta, e para goditjet e herëpas hershme kundër fesë dhe besimit tonë. Prej tyre mund të permendim fushata denigruese kundër Pejgamberit por ju them gjithsecili prej nesh ka një hise në atë që thotë dhe bën për Pejgamberin.

Kur shohim që ka njerëz që e shajnë fyejnë dhe denigrojnë besimin tonë, ne e dime se topi është në fushën tonë dhe se jemi ne ata që kemi neglizhuar në prezantimin e duhur të pejgamberit të madhëruar i cili na ka mësuar se si të jemi elitar në shoqërinë tonë.

Toka është e shenjtë dhe këtë na e ka mësuar Pejgamberi ynë shekuj më parë. Kur ndërtojmë dhe shpikim bomba të ndryshme që sjellin dëme edhe për ekosistemin, për kë shpiken këto bomba, kujt i shërbejnë, për të vrarë kafshët e egra në pyll apo për të vrarë njeriu vëllaun e tij njeri.

Edhe toka do të ankohet për këtë njeri shkatërrimtar të saj. Kur ndodhemi mes shumë sfidash unë i lidhi duart e mia me duart tuaja sepse ju jeni elita e besimtarëve në zemër të Europës dhe lutem që ta prezantoni Pejgamberin dhe të dëshmoni vlerat dhe kulturën tonë të madhe.

Nuk kemi për qëllim që duke kërkuar të pranojmë Islamin të dhunojmë të tjerët sepse përndrysh do kishim thyer urdhërin e Zotit. Jetojmë në një botë ku ka lule me shumë aroma të ndryshme dhe ne duhet të shkojmë tek ato lule me erën më të mirë për të qenë besimtarë ashtu si duhet.

Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari i uroi mirëseardhjen mendimtari islam Keftaro.
Mendimtari islam Salahudin Keftaro ndodhet prej disa ditësh në qyetin e Shkodrës duke zhvilluar takime të ndryshme ndërsa kjo hytbe e tij në xhaminë e Parrucës erdhi edhe në kuadër të përkujtimit të 16 nëntorit 1990 kur u hap xhamia e Plumbit 30 vite më parë dhe ditëlindjes së Profetit Muhamed.