Është kremtuar në kishën e motrave Stigmatine mesha e shenjtë e salikimit pas ndarjes nga jeta të murgeshës Maria Karleta e cila humbi jetën një ditë më parë në moshën 92 vjeçare. Maria Karleta e cila kaloi një kalvar vuajtjesh gjatë komunizmit ashtu si shumë klerikë të tjerë, dëshmoi tmerrin komunist në sytë e gjithë botës kur takoi Papa Françeskun në vitin 2014 gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Në meshën e shenjtë arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra, njëkohësh kryetar i konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë tha se vdekja e motër Maria Karleta është lindja në qiell ndërsa përmendi edhe vuajtjet e saj gjatë komunizmit.

Maria Karleta është një murgeshë që ka lënë gjurmë të mëdha tha arqipeshkëvi si një dëshmitare e fesë ndërsa bëri apel që të gjithë të ndjekin shembullin e kësaj murgeshe.

Motër Maria Karleta 92 vjeçe u bekua nga Papa Françesku me dhurata të sjella nga Ati i Shenjtë në tetorin e këtij viti në 30 vjetorin e motrave Stigmatine në Shqipëri. Murgesha Stigmatine për vuajtjet që përjetoi dhe besnikërinë e saj për Jezusin u nderua nga Papa Françesku me titullin e lartë Urdhëri i Kryqit të Lartë pasi dëshmoi kalvarin e mundimshëm të jetës së saj para Atit të Shenjtë gjatë vizitës së tij në Shqipëri në 2014-ën. Motër Maria Karleta do të prehet në varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër.