Të hënën e 4 prillit, Star Plus bëri publik një informacion të Ministrisë së Bujqësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të AKU në lidhje me situatën e krijuar nga përhapja e gripit të shpendëve në qarkun Shkodër. Informacioni zyrtar përmblidhte kontrollet e ushtruara në disa stabilimente dhe supermarket nga data 23 – 31 mars 2022, ku na bëhej me dije se nuk ishte zbuluar asnjë rast I përhapjes së influencës aviare.
Mirëpo, vetëm 3 ditë më vonë, nga prefektura e qarkut Shkodër konfirmohet rasti i parë i gripit të shpendëve, në njësinë administrative Dajç. Një rast ky i izoluar në një rreze deri në 10 km, I cili I përkiste datës 31 mars. Kjo datë ishte përfshirë në informacionin zyrtar të drejtorisë së përgjithshme të AKU dhe Ministrisë së Bujqësisë, pas kërkesës për informacion që redaksia e Star Plus i kishte kërkuar. Star Plus disponon shkresën zyrtare që konfirmon rastin e parë në një fermë në fshatin Suka Dajç të njësisë administrative Dajç.
Në këtë mënyrë, përmes këtyre dokumenti të datës 1 prill që konfirmon rastin e parë të gripit të shpendëve, zbulojmë një rast të paprecedentë dhe një gënjeshtër në dëm të konsumatorëve shkodranë. Ministria e Bujqësisë shpërndau zyrtarisht një informacion të pavërtetë, duke krijuar kështu dezinformim tek konsumatori shkodranë, duke mos marrë kështu masa për ndalimin e tregtimit të shpendëve.
Si pasojë, Ministria e Bujqësisë dhe Drejtoria e përgjithshme e AKU rrezikuan me vetdije shëndetin e qytetarëve duke mos dhënë në kohë reale informacionin për përhapjen e influencës aviare. Pas këtij rasti në lindin dyshime nëse mund të ketë vatra të tjera të infektimit të cilat institucionet përgjegjese vendore dhe lokale nuk i bëjnë publike, duke ndikuar në një përkeqësim të situatës dhe mungesë besimi ndaj këtyre institucioneve.