Këshilli i Bashkisë Shkodër ka miratuar dy projekt-vendime përmes një votimi elektronik të cilat kanë të bëjnë me dy vendime të rëndësishme. I pari është projekt-vendimi për miratimin e fondit rezervë për zbatimin e projektit “Rikonstruksioni i godinave në pronësi të vetëqeverisjes vendore për strehim social që ka të bëjë me rikonstruksionin e ish-konviktit të shkollës veterinare.

Në atë godinë në muajin shkurt të këtij viti një zjarr përfshiu banesat e disa familjeve që jetonin prej vitesh aty. Rreth 50 persona mbetën në qiell të hapur pa asnjë strehë sepse zjarri shkrumboi gjithçka duke krijuar një problem të madh për këto familje pjesa më e madhe e të cilave jetojnë edhe në kushte të vështira ekonomike, të papunësuar apo edhe me ndihmë ekonomike. Në këtë mënyrë pas zjarrit të rënë banorët i bën apel institucioneve për ndihmë duke qenë se ndodheshin mes katër rrugëve pa asnjë mbështetje.

Pas verifikimeve të bëra dhe dëmeve që shkaktoi ky zjarr, bashkia Shkodër përpiloi një projekt për rikonstruksionin e këtyre banesave në godinën e ish-konviktit të shkollës veterinere në Shkodër me një investim përmes fondit rezervë që ka bashkia. Në këtë mënyrë bashkia Shkodër ka dhënë një fond prej 190 milion lekësh të vjetër që u miratua nga këshilli bashkiak i Shkodrës përmes votimit elektronik.

Ndërkohë rreth 840 milion lekë të vjetër ka dhënë edhe qeveria shqiptare duke bërë që fondi në total për rikonstruksionin e këtyre banesave të shkojë në rreth 1 miliard lekë të vjetër. Ndërkohë projekt vendimi i dytë që u miratua në mënyrë elektronike nga këshilli bashkiak i Shkodrës ka të bëjë me “miratimin e tavaneve përfundimtare të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2021-2023”.

Të dy këto projektvendime nuk është arritur që të miratohen më përpara në mbledhjet që ka zhvilluar Këshilli Bashkiak i Shkodrës për shkak të mungesës së kourumit në sallë ndërsa është zgjedhur votimi elektronik sepse fondi prej 190 milion lekësh të vjetër për rikonstruksionin e banesave mund të digjej.

Artikulli paraprakUSH SHKODËR, INFERMIERIA PRET REGJISTRIME MAKSIMALE
Artikulli tjetër10 MINUTA PËR TË KALUAR NË URËN E BARDHAJVE