Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, vizitoi prijësit e krishterë të komunitetit katolik dhe atij ortodoks në Shkodër në kuadër të vizitave dhe takimeve ndërfetare. Fillimisht, në Arqipeshkvinë Shkodër-Pult, Myftiu u prit nga Arqipeshkvi, Mons. Angjelo Massafra, me të cilin zhvilloi një bashkëbisedim të ngrohtë, duke vënë theksin tek domosdoshmëria e aktiviteteve të përbashkëta në dobi të shoqërisë dhe besimtarëve. Myftiu dhe Arqipeshkvi janë të mendimit se sprovat dhe sfidat me të cilat përballet njerëzimi dhe shoqëria shqiptare në veçanti, janë arsye më shumë për të bashkëpunuar e për të shtuar kontributet e përbashkëta për të mirën e shoqërisë shqiptare dhe njerëzimit mbarë.

Myftiu u prit edhe nga Famullitari i Kishës Ortodokse, At Nikolla Petani, me të cilin diskutoi mbi frymën e bashkëpunimit dhe natyrën e besimeve në trajtimin e sfidave të jetës. Të dy klerikët janë dakord që komunitetet fetare duhet të bëjnë më shumë në drejtim të eliminimit të gjuhës së urrejtjes dhe ndasive për shkak të besimit dhe fesë, që përhapet në masë nëpërmjet rrjeteve sociale, si dhe distancimin nga gjuha e përçarjes për shkaqe fetare në ligjërimet politike dhe të çdo natyre tjetër në shoqërinë tonë.

Takimet e Myftiut të Shkodrës vijnë në prag të Tre Muajve të Mirë, edhe si një kontribut i natyrshëm dhe faktik në ruajtjen dhe konsolidimin e frymës së harmonisë ndërfetare dhe vëllazërisë kombëtare.