Është ndarë nga jeta në moshën 74 vjeçare biznesmeni i njohur shkodran Rrok Fusha. Për vite me radhë kontribuoi fillimisht në vepra të ndryshme arti para viteve ’90 e më pas duke ndërtuar objekte pune në Shkodër ndërsa një kohë të gjatë u përfshi në botën e biznesit.

Rrok Fusha lindi në vitin 1946 në një familje me tradita e cila vuajti edhe burgjet e komunizmit për shkak se nuk pranuan t’i nënshtrohen atij sistemi diktatorial. Në këtë mënyrë jeta për familjen e Rrok Fushës gjatë viteve ’90 për shkak të persekucionit nuk ishte aspak e lehtë por falë punës dhe sakrificës së tyre arritën që të mbijetojnë në atë sistem.

Rrok Fusha do niste punën në vitin 1967 dhe deri në vitin 1970 punoi në një ndërmarrje në Laç me përkushtim. Në 1970 u transferuar në hidrocentralin e Vau Dejës dhe më pas në atë të Fierzës duke qenë edhe atje një prej punonjësve më të dalluar ndërsa më pas ishte pjesë e Ndërmarrjes Shtetërore të Ndërtimit në Shkodër duke kontribuar në punimet e mbrojtjes të asaj kohe.

Gjatë punës në hidrocentralin e Fierzës në vitin 1972 do të pesonte një aksident të rëndë në punës pas shembjes së një tuneli duke pësuar dëmtime të rënda dhe duke qenë në një gjendje kritike. Një helikopter e transportoi nga Bajram Curri në spitalin ushtarak ndërsa arriti që të shpëtonte dhe iu rikthye sërish punës me të njëjtin përkushtim.

Me rënien e regjimit monist Rrok Fusha si e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare punoi privatisht në vitet e para në ndërtimin e objekteve të ndryshme të punës. Më pas falë punës arriti që të përfshihet në botën e biznesit duke ndërtuar lokalin “Ideal”.

Rrok Fusha është babai i dy djemve, Eduartit dhe Alfonsit si dhe xhaxhai i pronarëve të Star Plus Tv, Pjerin, Valter dhe Niko Fusha. Stafi i Star Plus Televizion i shpreh ngushëllimet familjes Fusha për humbjen e njeriut të tyre të dashur.