Është ndarë nga jeta në moshën 76 vjeçare haxhi Fejzi Zaganjori një personalitet i komunitetit musliman të Shkodrës dhe Shqipërisë. Gjatë gjithë jetës së tij dha një kontribut të shquar në jetën fetare, kulturore, sociale dhe zhvillimore të Shkodrës duke u kthyer në një prej emrave të rëndësishëm të komunitetit musliman falë kontributit të tij ndër vite.

Haxhi Fejzi Zaganjori që në fillim ka marrë pjesë në riorganizimin e Myftinisë së Shkodrës ndërsa ka mbajtur ligjërata të gjata dhe shumë shpejt u bë edhe mësues besimi në xhaminë Rusit për të vijuar me një sërë detyrash tjera të rëndësishme. Zëri i Haxhi Fejzi Zaganjorit do të dëgjohej fuqishëm në vitin e mbrapshtë 1997 kur sëbashku me klerikë të

tjerë të komuniteteve fetare doli në rrugët e qytetit dhe derë më derë për të evituar vrasjet dhe duke dhënë mesazhe paqeje dhe dashurie për të ulur armët, ndërsa ka marrë pjesë në çdo mbledhje rreth trazirave të kohës. Ka marrë pjesë në të gjitha takimet me Ministrin e Brendshëm, në Kryeministri, Kuvend e në Presidencëdhe në takimet me të huajt.

Ka organizuar me të tjerë pjesëtarë të komuniteteve, dorëzim armësh në Shkodër, Lezhë, Pukë dhe Rrëshen. Në periudhën e ardhjes së vëllezërve kosovarë në Shkodër, si përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër ka bashkëpunuar me Prefekturën, me organizata shtetërore, komunitet fetare, shoqata islame, që kanë dhënë një ndihmesë të madhe.

Haxhi Fejzi Zaganjori Ka marrë pjesë në simpoziume e sezone shkencore, takime e konferenca kombëtare e ndërkombëtare për problemet fetare e sociale kundër drogës, alkoolit, duhanit, etj. Ka drejtuar për 13 vjet emisionin në Radio Shkodra të titulluar: “Kulturë Islame”. Ka përgatitur rreth 1500 materiale teologjike, filozofie, sociale, historie, figura të ndryshme dhe Traditë Profetike. Ka shkruar në gazetën “Drita Islame” rreth 250 artikuj të spektrave të ndryshëm si dhe në gazetën “Udha Islame”, në revistën “Njeriu”, “Tribuna Demokratike”, “Shkodra” apo “Drita e Dijes”.

Haxhi Fejzi Zaganjori u lind në Shkodër në lagjen “Rus” më 23 mars 1945. Arsimi fillor dhe të mesëm e kreu në Shkodër dhe më pas universitetin Bujqësor në Tiranë i diplomuar si inxhinier pyjesh. Nga viti 1992 deri më 1996 ishte zëvendës myfti i Shkodrës, në 1996 u emërua vaiz i Shkodrës, nga viti 2001 dhe deri më tani ishte imam në xhaminë e Rusit ndërsa në 2009 u dekretua si ndihmës myfti i zonës së Shkodrës.

Haxhi Fejzi Zaganjori është nderuar me një sërë certefikatash dhe vlerësimesh ndërsa ka mbajtur edhe disa detyra shtetërore në fushën e pyjeve si inxhinier. Gjendja shëndetësore e haxhi Fejzi Zaganjorit u përkeqësua kohët e fundit duke humbur jetën. Star Plus Televizion i shpreh ngushëllime familjarëve, të afërmve, miqve dhe komunitetit musliman të Shqipërisë.