Arti dhe kultura shqiptare sot është në zi! Muzikanti i njohur shkodran Kujtim Alija u nda nga jeta në moshën 60 vjeçare! Një sëmundje e rëndë që e mundoi kohët e fundit i mori jetën dirigjentit të njohur shqiptar. Që nga viti 1980 përpara se kreu studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, Kujtim Alija kontribuoi pa reshtur në artin e kulturën shqiptare duke u kthyer në një prej emrave më të rëndësishëm të muzikës. Në vitin 1987 u emërua dirigjent i orkestrës frymore, pozicion të cilin nuk e braktisi deri në ditën e fundit të jetës. Nga viti 1998 Kujtim Alija është drejtori artistik i festivalit mbarëkombëtar të këngës për fëmijë. Nga duart e tij për 30 vite me radhë kanë dalë disa prej emrave më në zë të këngës në Shkodër por edhe rang kombëtar e ndërkombëtar. Me përkushtim e sakrificë nuk hoqi dorë asnjëherë nga festivali i fëmijëve pavarisht vështirësive por edhe pengesave disa herë për të mos e zhvilluar. Po ashtu nga viti 1995 Kujtim Alija solli festivalin “Bilibilat e Vegjël Këndojnë” që po ashtu prodhoi një numër të konsiderueshëm artistësh të vërtetë të muzikës shqiptare duke kontribuar pa u lodhur bashkë me disa emra të njohur asokohe që ishin pjesë e Qendrës Kulturore të Fëmijëve. Nga viti 2003 Kujtim Alija u emërua drejtor i qendrës kulturore të fëmijëve duke shfaqur edhe aty një nivel të lartë organizativ dhe artistik të një muzikanti me vlera unike si dhe një njeriu humanist dhe solidar e bashkëpunues me të gjithë si dhe një promotor e mbështetës i jashtëzakonshëm për brezat e ri….

Gjatë karrierës së pasur Kujtim Alija ka fituar një sërë çmimesh të rëndësishme si dirigjent ndërsa në vitin 2017 për kontributin e tij të madh në fushën e artit dhe kulturës u dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh” ndërsa mban edhe urdhërin “Naim Frashëri i Argjendë”.  Dirigjenti i njohur është vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare bashkë me orkestrën frymore që drejtoi. Kujtim Alija dha kontributin e tij edhe si pedagog në universitetin e Shkodrës, atë të Tiranës apo edhe si ndër themeluesit e Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër. Ka edhe dy botime me këngë të zgjedhur për fëmijë të botuara në vitin 1996. Në një postim të 7 ditëve më parë në facebook që është edhe i fundit nga ana e tij i ndjeri Kujtim Alija shkruante: “Përshëndetje gjithë miqve të shumtë dhe të mirë që kam pasur në jetë dhe një pjese prej tyre, miq edhe të faqes sime. Shkodrën, qytetin ku kam lindur dhe punuar prej 36 vitesh jo vetem e dua por jam i inamoruar pas historise dhe bukurive që ja ka falur Zoti. Ju falenderoj të gjithëve dhe ju uroj çdo të mirë që ju do zemra. Kujtim Alia!”

 

Artikulli paraprakSI PARAQITET SITUATA NË SPITALET E KOSOVËS, 55 PACIENTË ME KORONAVIRUS NË GJENDJE TË RËNDË
Artikulli tjetërMALËSI E MADHE, VRITET ME ARMË 58 VJEÇARI SOKOL ÇELAJ