Është ndarë nga jeta në moshën 76 vjeçare ndërtuesi i njohur shkodran Fran Fusha. Për vite me radhë kontribuoi fillimisht në vepra të ndryshme arti para viteve ’90 e më pas duke ndërtuar objekte pune në Shkodër ndërsa një kohë të gjatë u përfshi në botën e ndërtimit. Fran Fusha lindi në vitin 1944 në një familje me tradita e cila vuajti edhe burgjet e komunizmit për shkak të persekucionit.

Në këtë mënyrë jeta për familjen e Fran Fushës gjatë viteve ’90 për shkak të persekucionit nuk ishte aspak e lehtë por falë punës dhe sakrificës së tyre arritën që të mbijetojnë në atë sistem. Fran Fusha do niste punën në vitin 1965 dhe deri në vitin 1968 punoi në një ndërmarrje në Laç me përkushtim.

Në 1968 u transferuar në hidrocentralin e Vau Dejës dhe më pas në atë të Fierzës duke qenë edhe atje një prej punonjësve më të dalluar ndërsa më pas ishte pjesë e Ndërmarrjes Shtetërore të Ndërtimit në Shkodër e njohur si NSHN duke kontribuar në punimet e mbrojtjes të asaj kohe.

Me rënien e regjimit monist Fran Fusha si e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare punoi privatisht në vitet e para në ndërtimin e objekteve të ndryshme të punës. Më pas falë punës arriti që të përfshihet në botën e ndërtimit duke ndërtuar objektin 7 katesh përballë universitetit me destinacion hotelerinë si dhe disa ndërtime të tjera duke dhënë kontributin e tij.

Fran Fusha është babai i dy fëmijëve, Paulinit dhe Mirelës si dhe xhaxhai i pronarëve të Star Plus Tv, Pjerin, Valter dhe Niko Fusha. Është xhaxhai edhe i Eduartit, Foncit, Toninit dhe Lulit. Po ashtu Fran Fusha është djali i të ndjerëve Lazër dhe Mrikë Fusha si dhe bashkëshorti i Marijes, vëllai i Ndout, Dedës dhe të ndjerëve Rrok, Mare dhe Sofies. Stafi i Star Plus Televizion i shpreh ngushëllimet familjes Fusha për humbjen e njeriut të tyre të dashur.