
Bashkia Shkodër ka miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak kriteret e detajuara për licensimin e Agjencive Funerale dhe Shtëpive Funerale (Salla Pritje), duke vendosur standarde të qarta për objektet ku ofrohet ky shërbim.
Drejtorja e Përgjithshme e Drejtorisë Juridike në Bashkinë Shkodër, Griselda Dama, deklaroi se të gjitha subjektet duhet të plotësojnë kriteret e miratuara në mars të këtij viti deri më 25 shtator.
Ajo paralajmëroi se në rast të moszbatimit te kritereve deri me 25 shtator, do të merren masa sipas ligjeve ne fuqi
Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci në një postim në rrjetet sociale ka publikuar qartë edhe kriteret e rregullores dhe ndalimin që do të bëhet në zonat e populluara.
Sipas rregullores:
• Nuk lejohen të ushtrojnë aktivitet në Qendrën Historike të Qytetit që përfshin rrugët Gjuhadol, Kolë Idromeno, 13 Dhjetori, 28 Nëntori dhe përgjatë rrugës Hamz Kazazi.
• Nuk lejohen të ushtrojnë aktivitet në godina banimi shumëfamiljare apo në shtesat e këtyre godinave.
• Duhet të jenë të paktën 50 metra larg nga objektet arsimore.
• Nuk lejohen në ambiente të përbashkëta që përdoren nga subjekte të tjera.
• Automjetet e shërbimit funeral nuk mund të qëndrojnë apo parkohen në hapësira publike.


