Është organizuar për të pestin vit me radhë panairi i produkteve tradicionale të Shkodrës dhe njësive administrative dhe trashëgimisë kulturore të këtyre zonave i quajtur “Vjeshta ne Shkoder”. Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi tha se do vijojë të jetë në mbështetje të artizanëve.

Regjina Rrethatori, një artizane nga Vau Dejësi e cila merret me punimet tradicionale të tezgjahut thotë se problem mbetet tregu për të shitur punimet që ata prodhojnë dhe faktin që artizanati nuk po trashëgohet tek të rinjtë të cilët nuk kanë interes e as mbështetje nga shteti.

Fran Kodra, këngëtar i këngëve me çifteli thotë se folklori është lënë plotësisht në harresë nga ministria e kulturës sepse nuk ka asnjë aktivitet më që zhvillohet dhe kjo bën që folklori ynë të humbasë duke mos u përcjellë tek brezat e ri.

Artizanët në Shkodër aktualisht përballen me një sërë problematikash të ndryshme që lidhen me vështirësitë për gjetjen e tregut, mungesën e interesit të të rinjve për ta trashëguar artizanit apo edhe mbështetjen e shtetit ndaj tyre duke bërë që shumë prej traditave të rrezikojnë të mos jenë më vitet e ardhshme.