Rikthimi i simboleve të komunizmit një ditë më parë në përkujtimin e 77 vjetorit të rënies së 5 Heronjve të Vigut e ngritur nga Star Plus Televizion ka ngjallur reagime të shumta në Shkodër por edhe më gjërë duke rihapur edhe njëherë debatin për simbolet moniste, të atij regjimi që për 45 vite torturoi shqiptarët në udhëheqjen e Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës. Kështu deputeti i zgjedhur i PD për qarkun Shkodër dhe drejtues politik i PD për këtë qark Helidon Bushati ka reaguar në rrjetin social facebook pas kronikës në Star Plus ku shfaqen simbolet e komunizmit në 77 vjetorin e rënies së 5 Heronjve të Vigut teksa shkruan:

“Rikthimi i simboleve komuniste sot në qytetin e qëndresës ndaj persekucionit është plaga e rradhës që i hapet Shkodrës. Rikthimi i yllit të kuq të Partisë, i kujtimeve të viteve të mbrapshta të persekucionit komunist, i nostalgjikëve të diktaturës së djeshme dhe i atyre që shpresojnë se historia do të përsëritet, nuk kanë vend në Shkodër. Banorët e Shkodrës, sado e vështirë të jetë përballja me të keqën, kanë ditur ta nxjerrin atë jashtë Bunës. Njësoj siç bënë me etërit e tyre. Sot, kur rruga drejt Shqipërisë Europiane duhet të ishte i vetmi destinacion, shkodranve dhe shqiptarëve po u përplasen fytyrës simbolet e komunizmit dhe krimet e atij regjimi. Keqardhje për të gjithë ata, që përballë këtij turpi, shijuan shfaqjen në distancë dhe qëndruan urtë në nderim të Ish-Partisë”.

Një reagim kundër simboleve moniste ka bërë edhe kryetari i PD Shkodër Xhevdet Amuli i cili edhe ai ka reaguar në rrjetin social facebook teksa shkruan:

“Aty ku shoë i persekutuesve cënon vlerat! Një grup personash sot, me grushta duke i rënë kokës, zhvilluan shoën e rradhës. Shoqërues kishin autoritete si prefekti apo drejtues qarku, sepse për përkujtimore, i kanë kthyer institucionet. Në mënyrën më të pacipë,fyen një rajon e një qytet si Shkodra. Këto organizata të kuqe, që asnjë lidhje nuk kanë me ngjarjet, të kujtojnë skorjet e një sistemi si komunizmi, që ngacmon Shkodrën mbi plagët e vuajtjet që i kanë shkaktuar. Boll i sakatuat bijtë e bijat e këtij vendi ! Boll u tallët me ndjenjat e njerëzve! Ato yje të kuq të bolshevizmit tuaj merrini me vete e mos cënoni njerëzit e fisëm e me karakter të këtij qyteti, që me zgjuarsinë që e ka karakterizuar shtresën e persekutuar, ju ka kthyer në barcaleta ju Don Kishota të kuq”.