Partia Demokratike e Shkodrës ka uruar të gjithë qytetarët për një vit të ri më të gëzueshëm për të gjithë. 2020-ta thotë PD në urimin e saj është një prej viteve më të vështira ndërsa nuk kursen akuzat ndaj qeverisë të Edi Ramës edhe në këtë urim për fundvit. Ja se çfarë shkruan PD në urimin e saj për qytetarët e Shkodrës:

“Viti që po lëmë pas ishte ndër vitet më të vështira për të gjithë njerëzimin. Shqipëria duke ardhur nga disa vite keqqeverisje dhe një krizë e thellë ekonomike që tashmë e kishte kapluar vendin,u gjet në një pozitë tejet të vështirë,kombinuar kjo edhe me keqmenaxhimin e situatës së panjohur për muaj me rradhë nga qeveria.

Plani i masave të ndërmarra ishte vetëm një paketë farse e cila nuk ndihmoi asnjërin prej nesh,as individualisht e as nga ana e biznesit. Përkundrazi,pandemia pati një impakt tejet negativ mbi të gjithë shoqërinë shqiptare. Qindra biznese u mbyllën e si pasojë me mijëra qytetarë mbetën të papunë dhe qeveria nuk mori asnjë masë për këtë fenomen.

Të gjithë këto persona janë në mesin tonë dhe akoma i shohim të vuajnë teksa mbyllin muajin. Por,mbi të gjitha humbjet e këtij viti ishin edhe nga ana shpirtërore. Ky vit solli vdekje të panumërta,duke bërë që shumë prej nesh të humbasin të dashurit e zemrës.

Ishte një vit i vështirë,por në fund sonte të gjithë do të mblidhemi me familjet tona për të gëzuar dhe për të uruar që të këqijat t’i lëmë pas me vitin 2020,e të urojmë më të mirat për vitin që po vjen.

Partia Demokratike,dega Shkodër ka pasur një vit shumë sfidues. Kemi organizuar takime të panumërta me grupe të ndryshme të interesit,përmendim këtu takimet me biznesin e vogël dhe të madh,takime me studentët,takime me fermerët dhe bujqërit,shoqatat e transporteve etj.

Organizimi i strukturave për zgjedhjet që kemi para,ka qënë një prej elementeve kryesore të këtij viti,ku edhe gjatë muajve të karantinës kemi zhvilluar takime të njëpasnjëshme online,me të gjitha grupseksionet e Bashkisë Shkodër. Kemi qënë më të angazhuar se kurrë dhe në këtë moment besojmë se kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fitoren e padiskutueshme të 25 Prillit !

Në emër të Partisë Demokratike,dega Shkodër dua të uroj të gjithë shkodranët për vitin e ri që po vjen ! Sjelltë ky vit paqe,harmoni,bereqet e vetëm mirësi për ju dhe familjet tuaja ! Qoftë ky viti i realizimit dhe i arritjeve të mëdha ! Gëzuar”!