Shkodra bëhet qyteti i parë në Shqipëri i cili do të ketë 200 qentë e parë të cilëve do t’iu vendoset secilit nga një mikroçip elektronik. Në këtë mënyrë pronarët e këtyre qenve nuk mund t’i hedhin në rrugë sepse identifikohen përmes këtij mikroçipi. Ky projekt është i bashkisë Shkodër në bashkëpunim me shoqatën për mbrojtjen e kafshëve “Animals Need Me”.

Qëllimi është ndërgjegjësimi i qytetarëve për të ulur sa më shumë braktisjen dhe njëkohësisht për të nxitur pronësinë e përgjegjshme të qenve në familje. Veterineri Rubin Pirani i cili ka nisur vendosjen e mikroçipave tek qentë thotë se nuk është një GPS që gjen qentë në momentin kur humbet por thjeshtë bën identifikimin e tij se cilit pronar i përket.
Mikroçipat deri më tani janë vendosur në trupin e 140 qenve.

Në rast se qeni i cili ka një mikroçip braktiset atëherë pronari i tij do të gjobitet sipas ligjit.
Mikroçipat tek qentë po realizohen nga klinika veterinare “Putra” në Shkodër dhe do zgjasë deri në fund të këtij viti.