Për herë të parë në Shqipëri shfaqen 25 piktura të piktorit me famë botërore Lin Delia duke inaguruar kështu pinakotekën që do mbajë emrin e tij pranë muzeut të kishës katolikë në Shkodër.
Lin Delia është i pari artist shqiptar i cili dëshmoi përmes pikturave të tij kudo në botë tmerrin e regjimit komunist pasi arriti të largohej nga Shqipëria drejt Italisë në vitin 1948, 3 vite pas instalimit të diktaturës në vendin tonë. Arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra pasi bekoi pinakotekën Lin Delia u shpreh se ky artist i madh na flet edhe sot me artin e tij.
Pjerin Sheldia është një piktor shkodran i cili e ka njohur nga afër Lin Delinë dhe tregon për artin madhështor të mikut të tij.
Pedagogu i arteve pamore Rubin Mandija thotë se ka dy tematika në veprat e Lin Delisë, ajo fetare dhe e persekucionit komunist.
Lin Delia pasi u largua nga Shqipëria në vitin 1948 ndërsa ishte student françeskan dhe më pas u vendos në Itali ku u diplomua për pikturë në Romë. Në vitin 1969 krijoi Akademinë e Artit “Gjergj Fishta” dhe në vitin 1983 krijoi Akademinë e Artit “Carlo Cesi”.
Lin Delia realizoi të gjitha portretet e françeskanëve të mëdhenj si Fishta, Harapi, Shllaku, Prennushi etj ndërsa ka ekspozuar në Romë, Neë York, Quebek, Mynih, Madrid, Berne e shumë qytete të tjera.
Vdiq në vitin 1994 dhe la pas qindra punime, të cilat ndodhen në muzeumet e artit në Itali dhe Vatikan. Në Shqipëri në këto 30 vite emri dhe vepra e Lin Delisë janë lënë në harresë totale edhe pse është një artist me famë botërore.


