Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputet në zgjedhjet parlamentare 2021 është mbyllur edhe për qarkun Shkodër. Në 8 KZAZ-të e këtij qarku përfundoi numërimi për kandidatët teksa e fundit ishte KZAZ 2 tek pallati i sportit “Qazim Dervishi” në të cilën procesi përfundoi më 29 prill në katër të mëngjesit. Pas numërimit të votave përfundimisht Partia Demokratike ka siguruar 5 mandate po aq sa ka patur në 2017.

PD është rritur me 7 mijë vota krahasuar me katër vite më parë por kjo nuk ka mjaftuar për të marrë të paktën një mandat më shumë. Deputetët e PD për qarkun Shkodër janë Helidon Bushati i cili mori 6743 vota, Emilia Koliqi e cila mori 1364 vota, Ramadan Likaj i cili mori 4778 vota, Greta Bardeli e cila mori 2753 vota dhe Zef Hila i cili mori 5975 vota. Kandidati më i votuar në radhët e PD është Bardh Spahia me 7219 vota por që nuk i mjaftuan për të thyer herësin në PD dhe kështu nuk do jetë në parlamentin e ri.

Tek femrat më e votuara është Izmira Ulqinaku me 3683 vota por që as ajo nuk do jetë në parlament ndërsa më pak i votuar është Nard Ndoka i futur në listë si aleat i cili mori vetëm 228 vota. Partia Demokratike nga 47205 vota në total, ka marrë 5820 vota partia ku zgjedhësit kanë votuar vetëm PD-në dhe asnjë prej kandidatëve ndërsa 41.385 vota janë nominale për secilin kandidat.

Partia Socialiste çon në parlamentin e ri vetëm 3 deputetë nga katër që kishte në 2017-ën duke humbur një mandat këtë radhë por duke pësuar një rënie edhe me 9 mijë vota krahasuar me katër vite më parë. PS mori 30.296 vota nga 39 mijë që kishte në 2017. Deputetët e PS janë Edona Bilali e cila mori 2711 vota, Paulin Sterkaj me 7335 vota dhe Benet Beci me 6131 vota.

Nga PS mbet jashtë parlamentit drejtuesi politik Ilir Beqaj i cili ishte i katërti dhe siguroi 3920 duke mos arritur ta thyej herësin. Më pak e votuar tek PS është kandidatja Diana Muriqi me 190 vota. Socialistët kanë 4673 vota partie ku zgjedhësit kanë votuar PS-në dhe asnjë prej kandidatëve ndërsa nga 30296 vota në total 25596 janë vota nominale për kandidatët. Dy mandatet siguroi Partia Social Demokrate duke arritur një rezultat historik. Lista kryesohej nga Tom Doshi i cili është edhe kryetar i PSD por Doshi dha dorëheqjen nga kandidimi ndërsa partia e tij në Shkodër mori 16425, 3 mijë më shumë se në 2017.

Deputetët e PSD do jenë Gledis Çeliku që renditej i dyti dhe mori 949 vota dhe pas dorëheqjes së Doshit në parlament shkon Meri Markiçi e cila mori 749 vota. Pas Doshit më i votuari tek PSD është Serdar Hoxha me 1279 vota. PSD ka në total 3359 vota partie ndërsa 13.066 janë për kandidatët. Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë një mandat në Shkodër, aq sa kishte edhe në 2017-ën ndërsa deputeti i LSI vijon të jetë Agron Çela.

LSI ka pësuar një rënie me afro 2 mijë vota krahasuar me katër vite më parë. Deputeti Çela mori 2656 vota ndërsa pas tij më i votuari është Edmond Ndou me 1809 vota ndërsa 3676 janë vota partie tek LSI dhe 6333 për kandidatët. Bindja Demokratike mori 1005 vota ndërsa Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit 1389 vota. 2394 votat e këtyre dy forcave të reja politike të djathta i mohuan PD-së në Shkodër mandatin e 6-të.

Gjashtë forcat e tjera të vogla në Shkodër Balli Kombëtar, koalicioni ABEOK, Nisma Thurje, Lëvizja e Re, Aleanca Demokracia e Re dhe kandidati i pavarur Pal Shkambi gjithë bashkë morën 1036 vota. Ndërkohë në qarkun Shkodër nga 145 kandidatët për deputet 7 prej tyre kanë marrë zero vota, kandidatë këta të forca të vogla politike që morën shumë pak vota.

Më të votuarit janë Tom Doshi me 7886 vota, Paulin Sterkaj me 7335 vota, Bardh Spahia me 7219 vota i cili nuk do jetë deputet, Helidon Bushati me 6743 dhe Benet Beci me 6131 vota ndërsa 6114 vota rezultuan të pavlefshme të barazvlefshme pothuajse me një mandat deputeti për forcat e mëdha politike. Në total për qarkun Shkodër nga 272 mijë zgjedhës votuan 113 mijë prej tyre duke bërë që pjesëmarrja të jetë 41.3%.