Këtë javë është përmbyllur projekti ‘Katastrofat nuk njohin kufij’, qëllimi i të cilit ishte forcimi i kapacitetit të institucioneve dhe shërbimeve që merren me mbrojtjen dhe shpëtimin për të zvogëluar rrezikun nga fatkeqësitë natyrore, me një theks në mbrojtjen nga përmbytjet, si dhe informimin e publikut për rreziqet e përmbytjeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar.

Si pjesë e projektit, i cili përfundon më 16 janar të këtij viti, u siguruan pajisje për mbrojtje dhe shpëtim nga përmbytjet për Institucionet, veprimtaria e të cilëve është e lidhur me menaxhimin e situatave emergjente në vlerë prej 49,712 mijë euro, si dhe pajisje për Shërbimin Meteorologjik Ushtarak vlera prej 65,480 mijë euro.

Përveç prokurimit të pajisjeve, u mbajtën disa trajnime dhe ushtrime për përfaqësuesit e institucioneve dhe shërbimeve që merren me mbrojtjen dhe shpëtimin dhe parashikimin e kushteve hidrometeorologjike, si dhe aktivitetet brenda fushatave informuese për popullatën në lidhje me rreziqet nga përmbytjet, masat parandaluese, mbrojtjen dhe aktivitetet e shpëtimit.

Projekti u zbatua në Shqipëri në rajonin e Shkodrës dhe në Malin e Zi në komunat e Podgoricës, Tivarit dhe Ulqinit. Projekti ‘Katastrofat nuk njohin kufinj’ u implementua nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër në Shqipëri dhe nga FORS në Malin e Zi në partneritet me Drejtorinë për Situatat Emergjente të Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi.

Projekti u financua nga Bashkimi Europian nën Programin IPA për Bashkëpunim Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2014-2020 dhe në Malin e Zi projekti u bashkëfinancua nga Ministria e Administratës Publike.

Autoriteti kontraktues për projektin është Ministria e Financave dhe Mirëqenies Sociale të Malit të Zi – Drejtoria për Financimin dhe Kontraktimin e Ndihmës së BE. Ndërkohë ky projekt, qoftë me pajisjet që kanë ardhur apo edhe me shkëmbimin e eksperiencës po shërbejnë edhe në situatën aktuale të pëmbytjeve që po kalojnë disa prej zonave të NënShkodrës, situatë e cila tregoi edhe njëherë se projekte të tilla janë mëse të nevojshme për Shkodrën e cila është gjithnjë e rrezikuar nga përmbytja.