Muaji tetor kundër kancerit të gjirit është përmbyllur me një aktivitet të zhvilluar në pikën turistike të Shirokës nga Operatori Rajonal i Kujdesit Shëndetësor në Shkodër.

Drejtori i rajonal Astrit Beci tha se në formën e panairit të gjitha njësitë vendore të kujdesit shëndetësor të veriut kanë shpalosur materjalet e tyre me të cilat punuan gjatë këtij muaji për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e të gjitha grave dhe vajzave në veri për të bërë mamografinë në mënyrë që asnjë prej tyre të mos rrezikojë jetën nga kanceri i gjirit.

Përveç panairit, sektori i promocionit i zyrës vendore të kujdesit shëndetësor në Shkodër shpërndau disa fletë me informacione të ndryshme për gratë dhe vajzat e Shirokës por edhe kalimtar të tjerë të rastësishëm.

Këtë vit numri i grave dhe vajzave që kanë kryer mamografinë ka qenë shumë më i ulët për shkak të COVID-19 ndërsa kontrollet janë bërë duke zbatuar protokollet e sigurisë të vendosura nga ministria e shëndetësisë.