Ky është momenti pak minuta pas plagosjes i 54 vjeçarit Nikolin Huba i cili ndodheJ i shtrirë në tokë dhe u transportua me këtë ambulancë të shërbimit kombëtar të urgjencës drejt spitalit të rajonal të Shkodrës. Kjo plagosje me armë zjarri ndodhi gjatë ditës së sotme në qytetin e Shkodrës në afërsi të shkollës së mesme pyjore teksa i plagosur ka mbetur shtetasi Nikolin Huba, 54 vjeç bën të ditur policia vendore e Shkodrës.

I plagosuri sapo kishte dalë nga një lokal ku po pinte kafe me shokët e tij dhe papritur pa u futur ende tek kjo makinë që është e tij një person me motorçikletë i doli para duke e qëlluar dy herë në këmbë me armë zjarri tip pistoletë.

Nga sa mësohet 54 vjeçari Huba është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Fillimisht Huba ka thirrur shokët e tij me të cilët sapo është i ndarë duke i thënë hajdeni se më plagosën. Ata i kanë dhënë ndihmën e parë dhe më pas kanë lajmëruar shërbimin kombëtar të urgjencës.

Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur edhe policia vendore e Shkodrës duke nisur hetimet paraprake për zbardhjen e plotë të kësaj plagosjeje me armë zjarri. Sapo ka dalë nga operacioni në spital i plagosuri është marrë në pyetje por ai ka mohuar se ka konflikte me persona të tjerë.

“Sapo dola nga kafja dy persona me motor dhe me skafanda në kokë mu afruan dhe qëlluan ndaj meje. Nuk e di arsyen sepse unë nuk kam asnjë konflikt me askend dhe nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar”. Më pas 54 vjeçari është dërguar drejt Tiranës në spitalin e traumës për mjekim më të specializuar. Janë ende të paqarta motivet e plagosjes edhe pse policia një prej pistave kryesore ka atë të drogës.

Autorët e plagosjes mund të kenë dyshuar se Huba ka dhënë informacion për disa parcela me kanabis që janë asgjesuar në zonën e Vau Dejësit kohët e fundit, gjithsesi mbetet thjeshtë një pistë dyshimi pa prova konkrete deri më tani. Nikolin Huba është punonjës në hidrocentralin e Vau Dejësit, ish kryetar i PS në Vau Dejës, delegate kongresi i PS si dhe bashkëshortja e tij është anëtare e këshillit bashkiak në Vau Dejës.