Policia vendore e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Lekbibaj” duke arrestuar dy shtetas dhe duke proceduar dy të tjerë për lëndë narkotike.  Policia bën të ditur në njoftimin e saj se nga strukturat e Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bazë të informacioneve të marra ne rrugë operative u finalizua operacioni policor “LEKBIBAJ” dhe si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: P. K, 44 vjeç dhe B. K, 41 vjeç, banues në lagjen Skënderbeg, Shkodër si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit: N. K. 74 vjeç dhe P. K 42 vjeç, të dy banues në lagjen Skënderbeg, Shkodër.

Policia vijon njoftimin e saj se pas informacioneve të marra në rrugë operative se disa shtetas pjesëtarë të një familjeje kishin kultivuar para disa muajsh lëndë bimore cannabis sativa në Lekbibaj Tropojë dhe po e transportonin me një kamionçinë nga fshati Lekbibaj, Tropojë në drejtim të Shkodrës, menjëherë nga ana e Seksionit Kundër Narkotikëve është organizuar puna dhe është bërë kontroll në banesën e shtetasit N. K.

Gjatë kontrollit në banesë dhe në magazinën ngjitur me banesën, në një thes misri është gjetur një sasi lënde cannabis sativa me peshë 767 gramë. Shtetasit e arrestuar janë të dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produktit të veprës penale” e kryer në bashkëpunim. Kultivimi i kanabisit, transportimi dhe trafikimi brenda dhe jashtë vendit vazhdon që të jetë shqetësim ndërsa një prej zonave më problematika në Shqipëri është edhe Shkodra. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pak ditë më parë pas një takimi në policinë e Shkodrës tha se fenomeni i kanabisit ka rënë ndjeshëm por në fakt vijon të mbetet një shqetësim.

Artikulli paraprakPREJ 20 VITESH MIRËMBAJNË VETË RRUGËN
Artikulli tjetërSHKODËR, 87 TË RINJ MARRIN KUNGIMIN NË MESHË