Policia e Shkodrës ka ndëshkuar me 10 milion lekë të vjetër gjobë pronarin e një lokali, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ. Kështu lokali në fjalë po zhvillonte një dasëm ndërsa policia gjobiti pronarin duke qenë se dasmat dhe evente të tjera të ngjashme janë të ndaluara.

Në njoftim thuhet se Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë konstatuar një lokal në të cilin kishte organizuar ceremoni festive në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë. Shërbimet e Policisë i kanë vendosur pronarit të subjektit, shtetasit V.M, masën administrative 10 milion lekë të vjetër.

Policia e Shkodrës apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Pavarësisht këtij apeli të herë pas hershëm dasmat por edhe aktivitetet e tjera festive në qytetin e Shkodrës nuk janë ndalur.

Edhe pse akti normativ i qeverisë i ndalon këto evente si masa parandaluese ndaj përhapjes së COVID-9 mesa duket disa çifte por edhe familje të ndryshme e kanë patur të pamundur të anulojnë dasmat e tyre apo festat e ndryshme. Pavarësisht edhe disa gjobave të vendosura deri më tani nga policia vendore e Shkodrës sërish festat kanë vijuar pa ndërprerje. Përveç rastit të fundit ku u vendos një gjobë, pak ditë më parë efektivët kanë gjobitur tre pronarë lokalesh me nga 10 milion lekë të vjetër secilipër shkak se kanë lejuar zhvillimin e këtyre eventeve në kundërshtim me aktin normativ.

Në Shkodër por edhe në shumë qytete të tjera dasmat janë organizuar fshehurazi por nganjëherë edhe duke dalë me video live duke mundur t’i realizojnë pavarësisht rrezikut të përhapjes së COVID-19 por edhe gjobitjes së majme nga ana e policisë. Nga ana tjetër pronarët e lokaleve nuk janë dakord që kjo mbyllje të vijojë gjatë dhe kërkojnë të gjehen modalitetet për të lejuar zhvillimin e dasmave duke ruajtur distancimin social dhe duke respektuar masat e tjera mbrojtëse.