Shkodër

Vijojnë goditjet ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Gimaj”.

Arrestohen në flagrancë 6 shtetas, shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë.

Sekuestrohen lëndë narkotike cannabis sativa, armë zjarri dhe municion luftarak.

Nga strukturat e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, Forcat e Posaçme “Shqiponja” dhe Njësinë Operacionale të DVP Shkodër, në vijim të punës për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative është organizuar dhe finalizuar operacioni “Gimaj”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: Gj. F., 56 vjeç, P. A., 23 vjeç, B. Rr., 22 vjeç, D. Q., 17 vjeç, M. K., 22 vjeçe dhe E. Gj., 24 vjeçe.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit E. Gj. dhe Rr. Rr.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin kultivuar bimë narkotike në një zonë malore të pyllëzuar të fshati Gimaj, Shkodër.

Gjatë kontrollit është gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe një armë zjarri automatike me 2 krehër me fishekë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, arma e zjarrit, krehrat me fishekë dhe 7 aparate celular.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”dhe ”Pastrim i produkteve të veprës penale”.