Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. Z., 20 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, pasi automjeti që ai posedonte dyshohet të jetë i trafikuar, me targa të falsifikuara dhe ndërhyrje në numrin e shasisë. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit E. B., 18 vjeç, banues në fshatin Postribë, dhe E. N., 18 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, pa leje drejtimi.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, për dy raste:
-dje, shtetasi E. D., 50 vjeç, banues në Shkodër, duke drejtuar motomjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin, është përplasur me barrierat anësore të rrugës dhe për pasojë është dëmtuar. Ai po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër;
-dje, shtetasi M. Th., 75 vjeç, banues në Shkodër, duke drejtuar motomjetin, ka përplasur biçikletën me të cilën po lëvizte shtetasi K. P., 75 vjeç, i cili u dëmtua lehtë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër shpallën në kërkim shtetasin E. K., 39 vjeç, pasi ka kallëzuar bashkëshortja e tij, shtetasja M. K., e pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj tij, se 39-vjeçari ka marrë vajzën e tyre 6 vjeçe, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, dhe është larguar me të. Po punohet për gjetjen e tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-L. I., 40 vjeçe, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OShEE-së, në banesën e saj u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike;
-N. Gj., 57 vjeç, banues në fshatin Vukël, pasi u konstatua se kishte kryer punime ndërtimi, pa leje;
-D. K., 21 vjeç, banues në qytetin e Koplikut, pasi dyshohet se ka prerë tubin e alkoolit të frenave të automjetit (rulot), në pronësi të shtetases amerikane M. L., 46 vjeçe.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakKUSHTETUESJA RRËZON KËRKESËN E PRESIDENCËS: DEKRETI PËR ZGJEDHJET NË TIRANË DO SHQYRTOHET NË THEMEL TË ÇËSHTJES
Artikulli tjetërVELIAJ NË GJYKATËN KUSHTETUESE: MË RRËMBYEN NGA ZYRA