
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. S., 59 vjeç, banues në Shkodër, pasi nga verifikimet rezultoi se ushtronte aktivitetin në një subjekt për çmontimin dhe shitjen e pjesëve të automjeteve, në fshatin Bërdicë, pa e regjistruar në organet tatimore. Gjithashtu, gjatë kontrollit në subjekt, u gjetën dhe u sekuestruan 5 automjete të dyshuara të kontrabanduara nga Mbretëria e Bashkuar.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin H. Gj., 66 vjeç, banues në fshatin Kaç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit S. M., 23 vjeç, K. K., 40 vjeç, L. P., 37 vjeç, E. S., 24 vjeç, E. Q., 23 vjeç dhe D. D., 32 vjeç, banues në Elbasan, pasi më datë 15.02.2026, në përfundim të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve “KF Vllaznia” dhe “AF Elbasani”, në stadiumin “Loro Boriçi”, kanë shkatërruar disa ndenjëse dhe i kanë hedhur në fushën e lojës. Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë që kanë kryer veprime të paligjshme në ambientet e stadiumit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
–
Malësi e Madhe/Më datë 17.02.2026, shtetasja N. H., 69 vjeçe, ka kallëzuar se mbrëmjen e djeshme, i kanë vjedhur një shumë parash në banesën e saj, në fshatin Polvar.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të vjedhjes.






