Qarku Shkodër

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmë, për aksidentin në aksin rrugor “Kryebushat-Harku i Berdicës”, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar shtetasin G. M., 37 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka përplasur shtetasin R. G., 26 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë. Shtetasi R. G. po merr mjekim në Spitalin e Traumës.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan shtetasin R. H., 60 vjeç, banues në Kosovë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. M., 64 vjeç, banues në fshatin Rrenc, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.

Policia Kufitare e PKK Muriqan ndaloi shtetasin K. H., 45 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se ishte shpallur në kërkim nga DVP Vlorë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”. Veprimet e tjera procedurale do të kryhen nga DVP Vlorë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit Y. Z., 51 vjeç, B. B., 61 vjeç, dhe J. C., 23 vjeç, të tre banues në Koplik, për veprat penale “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësimi i paligjshëm”, pasi ushtronin aktivitetin në një vend për parkimin e automjeteve, pa e regjistruar në organet tatimore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-F. A., 21 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka bllokuar qarkullimin e mjeteve, duke parkuar gabim automjetin e tij, në lagjen “Vasil Shanto”;
-T. A., 26 vjeç, për veprën penale “Shpërdorim i tokës”, pasi është konstatuar se ka kryer gërmime dhe mbushje me inerte, pa lejen përkatëse, në segmentin rrugor “Ura e Bunës – fabrika e çimentos”;
-A. M., 55 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen V. S., 41 vjeçe, banuese në fshatin Tamarë, pasi ka kallëzuar bashkëjetuesi i saj, se 41-vjeçarja ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj tij dhe nënës së tij.

Koplik/Rreth orëve të para të mëngjesit, dyshohet se për shkaqe natyrore, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit H. K., 63 vjeç, i cili ndodhet jashtë shtetit. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakSHKODËR – AMP EKZEKUTON MASAT E SIGURISË PËR NJË PUNONJËS POLICIE DHE 3 PUNONJËS SË IMT
Artikulli tjetërSPIROPALI ME STUDENTËT E HAGËS: SHQIPËRIA, NJË PREJ TRANSFORMIMEVE MË MBRESËLËNËSE NË TOKËN EUROPIANE