Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës ndaluan një 17-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Ky shtetas dyshohet si bashkautor i kultivimit të 180 bimëve narkotike Cannabis Sativa, në fshatin Mnelë, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, në muajin qeshor.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. G., 53 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, pasi dyshohet se dje, në fshatin Kosmaç, ka thyer xhamin e vetratës së dyqanit të shtetasit A. V., 38 vjeç dhe ka dëmtuar me mjete të forta automjetin e tij.

Oficerët e Policisë Gjyqësore referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 50 vjeç, në Shkodër, pasi dje, automjeti që drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin E. V., 43 vjeç, banues në fshatin Oblikë. Si pasojë janë dëmtuar lehtë shtetasi E. V. dhe djali i tij, që udhëtonte me të.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër:
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. A., 43 vjeç, dhe Z. B., 58 vjeç, të dy banues në Shkodër, fqinjë, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta;
-referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, në fshatin Trush, është gjetur nga familjarët e tij, pa shenja jete, afër banesës së tij, shtetasi E. P., 40 vjeç, i cili dyshohet se është vetëvarur.

-Më datë 16.09.2025, ka kallëzuar shtetasi A. H., 50 vjeç, se i kanë vjedhur një shumë parash dhe një sasi floriri në banesën e tij, në fshatin Gruemirë-Çezmë, gjatë kohës që në banesë nuk ka patur njeri. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakPAGA MINIMALE 500 €, MESATARJA 1,200 EURO, ZBARDHET PROGRAMI I MANDATIT TË KATËRT
Artikulli tjetërHAPET MENSA NË QYTETIN E SHKODRËS