
DVP Shkodër
Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Hani i Hotit kapën shtetasin në kërkim F(A). E., 48 vjeç, pasi ishte i shpallur në kërkim nga DVP Dibër, për veprat penale “Ngacmim seksual” dhe “Dhuna në familje”. Bashkëshortja e tij ka kallëzuar në Polici, se ky shtetas ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj saj. Veprimet e tjera procedurale do të kryhen nga DVP Dibër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, pas denoncimit të bërë nga emisioni “Piranjat”, se një shtetas 43-vjeçar kishte komunikime me përmbajtje intime me një shtetase të mitur, dhe i kërkonte që e mitura ta takonte, ndaluan me iniciativë, për veprën penale “Vepra të turpshme”, shtetasin G. T., 43 vjeç, banues në fshatin Trush.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan me iniciativë shtetasin M. Rr., 35 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. I., 30 vjeçe, banuese në Shkodër, për veprën penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, pasi ka bërë kallëzim shtetasja A. H., 45 vjeçe, se 30-vjeçarja ka përdorur numrin personal të celularit të saj, për të reklamuar biznesin e vet në rrjete sociale.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, pasi ditën e djeshme, në aksin “Harku i Berdicës – Ura e Bahçallekut”, shtetasi L. N., 67 vjeç, duke drejtuar motomjetin e tij, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit duke u rrëzuar. Si pasojë, u dëmtuan lehtë drejtuesi i motomjetit dhe bashkëshortja e tij, shtetasja B. A., 55 vjeçe, e cila ishte pasagjere në motomjet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






