
Qarku Shkodër
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin S. M., 55 vjeç, banues në Shkodër, pasi me motomjetin e modifikuar dhe pa targa, që drejtonte, ka aksidentuar shtetasen E. D., 71 vjeçe, këmbësore, dhe është larguar. Shtetasja E. D. ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-Gj. P., 23 vjeç, banues në fshatin Bushat, pasi duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar lehtë shtetasit B. S., 30 vjeç, dhe A. Ç., 25 vjeçe, këmbësorë;
-G. Rr., 53 vjeç, banues në Shkodër, pasi duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë pasagjeri, shtetasi F. S., 50 vjeç.
Shërbimet e DVKM Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. P., 35 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi gjatë kontrollit në automjet iu gjet një kartë identiteti greke me të dhënat e tij, e cila dyshohet se është e falsifikuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Postës së Policisë Theth referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin M. B., 55 vjeç, pasi dyshohet se ka ndërtuar një objekt me konstruksion metalik, pa lejen përkatëse.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasit:
-A. M., 70 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale në vende publike”, pasi dyshohet se në muajin korrik të vitit 2025, ka kryer marrëdhënie seksuale në ambient publik, me shtetasen M. G., 63 vjeçe, e cila u procedua penalisht për veprën penale “Prostitucioni”. Për këtë rast, shërbimet e Policisë kanë bashkëpunuar me gazetarët e emisionit investigativ “Fiks Fare” dhe me Policinë Bashkiake Shkodër;
-Ç. R., 50 vjeç, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e tij u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori, për rastet e mëposhtme:
-dje, në Spitalin Rajonal Shkodër, është paraqitur në gjendje të rëndë shëndetësore, shtetasja V. S., 27 vjeçe, e cila dyshohet se është vetëhelmuar duke konsumuar medikamente mjekësore. 27-vjeçarja ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën;
-dje, ka kallëzuar shtetasja K. L., 40 vjeçe, banuese në Shkodër, se shtetasja S. M., 71 vjeçe, banuese në Shkodër, i ka bllokuar rrugën nëpërmjet së cilës hyn në banesën e saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin O. H., pasi me vetëgjyqësi ka rrethuar një rrugë në fshatin Stërbeq, me pretendimin se është pronë e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






